Lidhje

Ekuipazhi i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës ulet qindra kilometra larg vendit të caktuar, por pa probleme - 2003-05-04


Një ekuipazh amerikano-rus, që udhëtoi në bordin e një kapsule hapësinore Soyuz, u transportua pa probleme, pasi u gjet qindra kilometra larg vendit të caktuar për zbritje në Kazakistan.

Astronauti amerikan, Kenneth Bowersox, u tha gazetarëve në aeroportin e kryeqytetit kazak, Astana, se gjithçka kishte shkuar mirë, ”pas një kthimi normal në Tokë”. Zoti Bowersox, astronauti amerikan, Donald Pettit, dhe rusi Nikollai Budarin u transportuan me helikopter në Astana, ku ata hipën në një aeroplan për të shkuar në qendrën e hapësirës në Moskë.

Ekuipazhi i ”Expedita 6” u detyrua të qendronte në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar më gjatë se sa afati i parashikuar, si pasojë e shpërbërjes së anijes për vajtje-ardhje Columbia para tre muajsh, duke shkaktuar vdekjen e të 7 astronautëve.

Ekuipazhi prej tre vetësh u kthye në Tokë në një kapsulë Soyuz, model që nuk ishte përdorur ndonjëherë më parë për zbritje. Dhe kur u ul në Tokë, shqetësimi ndërmjet zyrtarëve në misionin rus të kontrollit në rrethinat e Moskës u rrit, kur u desh më shumë se 2 orë për të zbuluar vendndodhjen e anijes.

Por më në fund, një avion kërkimesh e gjeti atë gati 500 kilometra nga vendi i caktuar për zbritje. Kapaku i saj ishte hapur dhe tre anëtarët e ekuipazhit po prisnin përjashta, duke përshëndetur me duar.

Astronautët amerikanë dhe kozmonauti rus u detyruan të ktheheshin me kapsulën Soyuz, pasi anija amerikane për vajtje-ardhje Columbia u shpërbë, kur po hynte në atmosferën e Tokës në muajin shkurt duke shkaktuar vdekjen e ekuipazhit prej 7 vetësh.

Aksidenti bëri që astronautët, Keneth Bowersox dhe Donald Pettit, bashkë me kozmonautin rus, Nikollai Budarin, të kalonin në hapësirë edhe dy muaj të tjerë, meqenëse të gjitha anijet për vajtje-ardhje ndodheshin në Tokë.

Për momentin, Soyuz është mjeti i vetëm për të fluturuar drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Një ekuipazh i ri prej dy vetësh mbërriti në stacion javën e kaluar për një qendrim që pritet të zgjasë 6 muaj. //az//

XS
SM
MD
LG