Lidhje

ShBA do  të ndihmojë për gjetjen e objekteve të vjedhura irakiane të lashtësisë - 2003-05-05


Bota e vlerëson trashëgiminë arkeologjike dhe kulturore të Irakut, e cila e ka zanafillën më shumë se 10 mijë vjet më parë. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka nxjerrë udhëzime për të mbrojtur objektet e lashtësisë të Irakut. Ky urdhër u nxor pasi grabitësit plaçkitën muzeumet në Bagdat dhe Mosul. Siç u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell, “Plaçkitje të tilla sjellin humbje të pariparueshme në kuptimin e historisë dhe përpjekjet e ekspertëve irakianë dhe ndërkombëtarë për të studiuar dhe për të fituar njohuri mbi të kaluarën.”

Objektet e vjedhura mbeten pasuri e popullit irakian. Shtetet e Bashkuara po punojnë me Interpolin për të gjetur objektet e vjedhura irakiane që mund të jenë nxjerrë jashtë vendit. Presidenti George Bush tha se plaçkitësit do të gjenden dhe do të ndëshkohen:

“Po punojnë me irakianët për të rikthyer objektet antike, për të gjetur keqbërësit që plaçkitën Muzeumin Kombëtar të Objekteve Antike në Bagdat.... Ne i dënojmë veprimet e qytetarëve që plaçkitën muzeun. Ne do të punojmë me qytetarët irakianë për të zbuluar kush i kreu këto akte dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë.”

Programet e radios që koalicioni transmeton në Irak po u bëjnë thirje irakianëve të kthejnë objektet e vjedhura. Sipas një zëdhënësi të koalicionit, më shumë se 100 objekte janë kthyer deri tani.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, “Një person ktheu një kuti të mbushur me dorëshkrime të paçmueshme në një xhami; një pianist ktheu dhjetë objekte, përfshirë edhe një statujë të thyer të një mbreti asirian që i përkiste shekullit të 9 para erës sonë.” Gjenerali amerikan Tommy Franks tha se gjatë ditëve të fundit, shumë irakianë kanë filluar të japin vullnetarisht të dhëna mbi vendndodhjen e objekteve të tjera të vjedhura. Koalicioni do të mbrojë objektet derisa ato të mund t’u kthehen muzeumeve irakiane, të cilat tani po riparohen. //ad//

XS
SM
MD
LG