Lidhje

Irak: kapet një shkencëtare që mendohet se ka punuar për programin e armëve të shkatërrimit në masë - 2003-05-05


Një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha se forcat e koalicionit në Irak kanë kapur një shkencëtare që mendohet se kishte punuar në programin për zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Zyrtari amerikan, i cili nuk pranoi të identifikohej, tha se Huda Mehdi Amash, u kap në Bagdad. Zonja Amash ishte numri 53 në listën e 55 anëtarëve më të kërkuar të regjimit të përmbysur të Sadam Huseinit.

Zyrtarë amerikanë thonë se zonja Amash mund të japë informacion rreth programit irakian të armëve biologjike. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar ish-qeverinë e Sadam Huseinit se zotëronte armë të shkatërrimit në masë, por ende nuk ka gjetur të dhëna për ekzistencën e tyre që kur forcat e koalicionit hynë në Irak.

Ndërkohë, në zgjedhjet e para në një qytet kryesor që nga përmbysja e Sadam Huseinit, përfaqësuesit e disa grupeve etnike në qytetin irakian të Mosulit zgjodhën sot një këshill të qytetit. 250 delegatët e zhvilluan sot votimin nën masa të rrepta sigurimi. Kryetari i ri i bashkisë së qytetit është gjenerali në pension, Ghanim al-Baso. Në këshill bëjnë pjesë edhe tre kurdë, tre të krishterë asirianë dhe anëtarë të të paktën tre grupeve të tjera etnike.

Ndërkaq, zyrtari amerikan i ngarkuar me procesin e rindërtimit të Irakut, gjenerali në pension, Xhay Garner, tha se pret që një grup prej 9 vetash të drejtojnë qeverinë e përkohshme të vendit gjatë muajve të ardhshëm. Gjenerali Garner tha në Bagdad se përfaqësues të fraksioneve të ndryshme irakiane do të punojnë së bashku për të udhëhequr vendin, por nuk tha saktësisht sesi do të funksionojë ky grup. Gjenerali Garner tha se ka të ngjarë që në këtë grup të marrin pjesë ish mërgimtari Ahmed Çelebi, kreu i Kongresit Kombëtar Irakian, dhe udhëheqësit e dy grupeve kurde.// lk //

XS
SM
MD
LG