Lidhje

Në Pakistan arrestohen persona të dyshuar si anëtarë të al-Kaidës - 2003-05-06


TEXT: Autoritetet pakistaneze kanë kapur gjashtë persona të dyshuar si terroristë të rrjetit al-Kaida, përfshirë Tefik bin Atashin, i njohur edhe me pseudonimin Hallad. Mendohet se zoti Atashi, qytetar jemenas, kishte planifikuar shpërthimin terrorist kundër kryqëzorit amerikan, USS Kol, në tetor të vitit 2000, që shkaktoi vdekjen e 17 amerikanëve. Presidenti George Bush shpjegon asyen që arrestimi i zotit Atashi është zhvillim i rëndësishëm.

“Ai është vrasës. Ai ishte një nga operativët kryesorë të al-Kaidës. Në hierarkinë e organizatës al-Kaida, Teufik Atashi radhitej menjëherë pas Khalid Sheik Muhamedit. Me arrestimin e tij, u hoq edhe një person nga lista e terrirostëve që shqetësojnë njerëzit liridashës”.

Khalid Sheik Muhamedi ishte një nga udhëheqësit krryesorë të al-Kaidës. Ai u arrestua nga autoritetet pakistaneze dhe tani mbahet nga autoritetet amerikane. Më shumë se 450 persona të dyshuar si terroristë të rrjetit al-Kaida janë arrestuar nga autoritetet pakistaneze që kur terroristët e al-Kaidës sulmuan Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe Pentagonin në Uashington, më 11 shtetor të vitit 2001.

Mes gjashtë personave të dyshuar si anëtarë të rrjetit al-Kaida që u arrestuan kohët e fundit, është edhe nipi i Khalid Sheik Muhamedit, Ali Abed al-Aziz. Policia pakistaneze kapi edhe 150 kilogramë lëndë plasëse dhe një sasi të madhe armësh e municioni.

Arrestimi i udhëheqësve të lartë të al-Kaidës dhe të shumë vartësve të tyre pasqyron atë që Sekretari i Shtetit, Kolin Pauëll, e cilëson si përparim të pashembullt në luftën globale kundër terrorizmit.

“Si rezultat i këtyre përpjekjeve, theksoi Sekretari Pauëll, mijëra terroristë janë kapur dhe mbahen nëpër burgje. Jeta e terroristëve që ende qarkullojnë të lirë, është bërë padyshim më e vështirë. Tani është më vështirë që terroristët të fshihen dhe të gjejnë strehim, është më e vështirë që ata të organizojnë operacione të qendrueshme. Shumë celula e rrjete terroriste janë diktuar dhe shkatërruar dhe komplotet e tyre janë zbuluar”.

Sekretari Pauëll paralajmëroi se megjithëse është bërë përparim, terroristët vazhdojnë të planifikojnë krime të urryera dhe të përpiqen të shtien në dorë armë të shkatërrimit në masë. Amerikanët, theksoi zoti Pauëll, nuk do t’i pakësojnë përpjekjet, vendosmërinë dhe as vigjilencën e tyre.//xh//

XS
SM
MD
LG