Lidhje

Të rejat e fundit nga mjekësia dhe shkenca - 2003-05-06


Preparati Ginko Biloba mund të shtojë kujtesën

Kompanitë që prodhojnë preparatin mjeksor Ginko Biloba pretendojnë se ai mund të shtojë kujtesën. Këto premtime u kanë dhënë shpresë mijëra amerikanëve që ndeshen me probleme të përditshme kujtese. Por shkecëtarët paralajmërojnë se është ende herët të besohen pretendime të tilla dhe se nevojiten studime të mëtejshme.

Ndërkohë, inxhinieria gjenetike premton se puna me kodin gjenetik të mikro-organizmave mund t’i hapë shpejt rrugën krijimit të ilaçeve të reja dhe një fronti të ri lufte kundër mikrobeve.

Sam Hirsch është ndër ata mijëra amerikanë që kanë probleme me kujtesën.

“Për shembull shkoj nga kuzhina në dhomë të gjumit, ku kam tryezën e punës. Kur mbërrij atje harroj se çfarë duhet të bëj”, thotë ai.

Ai i ka drejtuar shpresat tek shkenca për të zbuluar ndonjë mjekim që mund ta ndihmojë. Pikërisht shpresa të tilla i kanë dhënë hov shitjes së ilaçeve si Gingo Biloba.

Preparati farmaceutik prodhohet nga gjethet e pemës Ginko. Prodhuesit dhe tregëtarët e tij e cilësojnë Ginko Bilobën si një formë viagre për trurin, e cila rrit qarkullimin e gjakut në tru dhe pengon efektet negative të substancave.

Por studimet kanë dhënë rezultate kundërvënëse. Revista Scientific Amerikan u bëri një përmbledhje 40 studimeve të ndryshme mbi këtë preparat dhe arriti në përfundimin se efektet janë përgjithësisht të vogla.

Ndërsa Shoqata Amerikane e Bimëve Mjeksore citon një artikull të ngjashëm në një revistë britanike në të cilin flitet për rezultate premtuese. Por të dy artikujt pohojnë se nevojiten studime të mëtejshme.

Një kompani po punon për hartën gjenetike të bakterieve

Një kompani në San Diego bëri të ditur se po bashkëpunon me Departamentin e Energjitikës për të përgatitur hartën gjenetike të bakterieve. Studiuesit thonë se së shpejti mund të zbulojnë të dhënat e para molekulare dhe gjenetike të mikrobeve, gjë që do t’i hapë rrugën prodhimit të ilaçeve që mund të kurojnë sëmundje të ndryshme.

Kompania bio-teknologjike Diversa shpreson se harta gjenetike e mikro-organizmave të planetit tonë do të jetë një arritje madhështore për njerëzimin. Kjo kompani pretendon se 99 për qind e mikrobeve që gjallojnë në këtë planet ende nuk janë zbuluar, dhe kjo gjendje do të ndryshojë me projektin e tyre.

Studiuesit e kanë përqëndruar punën në zonat kënetore të Kosta Rikës, ku gjendet një shumëllojshmëri e madhe krijesash mikroskopike. Ata po marrin mostra dheu dhe bimësh që mund të fshehin çelësin e ilaçeve të së ardhmes. Pritet që procesi i zbulimit të hartës gjenetike të mikro-organizmave të çojë edhe në prodhimin e një karburanti më të pastër si dhe në gjetjen e mënyrave për të asnjanësuar mbetjet e rrezikshme.

Shkencëtarët rikrijojnë një gjen që ishte zhdukur 240 milionë vjet më parë

Shkencëtarët në Universitetin Rockefeller të New Yorkut kanë rikrijuar një gjen që nuk ka ekzistuar prej 240 milion vjetësh. Ata thonë se zbulimi i ri mund të jetë rruga për të mësuar si kanë jetuar qeniet para historike, si dinosaurët, gjë që nuk e mësonin dot plotësisht nga fosiljet.

Ky njoftim mund t’i përngjasë deri diku filmit fantastiko-shkencor Jurasic Park, por shkencëtarët thonë se bëhet fjalë për një arritje të mirëfilltë shkecore. Gjeni i rikrijuar i përkiste arkosorit, një dinosaur që ka ekzistuar 240 milion vjet më parë.

Shkencëtarët përdorën një program kompiuterik që krahason kodin e ADN-së të pasardhësve të këtij dinosauri, që nga zogjtë e deri tek krokodilët. Programi kompiuterik përllogariti ndryshimet që ka pësuar ADN-ja gjatë kësaj periudhe duke arritur në një hamëndje të kodit gjenetik të proteinës Rhodosin që mundëson shikimin tek gjallesat.

Shkencëtarët donin të zbulonin aftësinë pamore të dinosaurit. Pas analizës ata arritën në përfundimin se dinosauri kishte sy të ndjeshëm ndaj dritës, gjë që lë të kuptohet se ai ishte kafshë nate. Shkencëtarët thonë se teknologjia e përdorur në këtë zbulim mund të shërbejë për të ndjekur evolimin e çdo lloj proteine.//kk//

XS
SM
MD
LG