Lidhje

OBSH: SARS-i vazhdon të përhapet - 2003-05-06


Kryetarja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi se virusi i SARS-it vazhdon të përhapet, pavarësisht nga intensifikimi i përpjekjeve në gjithë botën për parandalimin e tij.

Gro Harlem Bruntland e bëri këtë koment të martën në Bruksel ku u takua me ministrat evropianë të shëndetësisë për të diskutuar rrugët sesi të mos lejohet përhapja e virusit në Evropë. Zonja Brundtland vuri në dukje se çdo ditë ka një sërë rastesh të reja me SARS, veçanërisht në Kinë dhe Hong Kong. Ajo tha se SARS-i ishte një sinjal alarmi për botën.

Zonja Brundtland, tha se përhapja e SARS-it është frenuar në Vietnam dhe ka pësuar rënie në Kanada. Por, ajo thotë se në Kinë përhapja e virusit nuk e ka arritur pikën kulmore. Ky vend është më i prekuri nga sëmundja.

Megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se Evropa ka vepruar me shpejtësi për identifikimin dhe izolimin e rasteve të mundshme të SARS-it, si edhe për zbatimin e procedurave të përshtatshme për kontrollin e infeksioneve, zonja Brundtland bëri thirrje për kujdes të vazhdueshëm. Ajo tha se asgjë nuk duhet nënvleftësuar. “Është e rëndësishme që të gjithë ministrat e shëndetësisë dhe qeveritë në gjithë botën, në nivelet më të larta, të mendojnë me shumë seriozitet se ne kemi një shans. Ne ende mund ta mbajmë nën kontroll sëmundjen e parë të re të këtij shekulli dhe ta eliminojmë atë; ashtu siç u bë në Vietnam”, tha ajo.

Në vendet ervopiane është njoftuar vetëm për 33 raste të mundshme të SARS-it. Asnjë nga pacientët nuk ka vdekur. Por zyrtarët e shëndetësisë të Bashkimit Evropian thonë se duhet të përmirësojnë bashkërendimin, për të parandaluar përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse në Evropë.//kk//

XS
SM
MD
LG