Lidhje

Shqipëria do të marrë pjesë në procesin e rindërtimit të Irakut - 2003-05-07


Shqipëria dhe përfaqësues të biznesit të saj do të marrin pjesë në një konferencë që do të organizohet këtë muaj nga Shtetet e Bashkuara dhe Anglia lidhur me procesin e kontraktimit për rindërtimin e Irakut. Kjo u bë e ditur sot nga ambasadori amerikan në Tiranë James Jeffry gjatë një takimi në dhomën e tregtisë shqiptaro-amerikane, me përfaqësues të biznesit shqiptar. Firmat dhe kompanitë shqiptare u ftuan zyrtarsisht nga Shtetet e Bashkuara që të marrin pjesë në procesin e rindërtimit të Irakut, si shenjë e mirënjohjes së rreshtimit të Shqipërisë në koalicionin e udhëhequr prej saj.

Disa miliardë dollarë do të shpenzohen nga Shtetet e Bashkuara për të rindërtuar Irakun. Tashmë janë përcaktuar edhe 9 fushat kryesore ku do të bëhen ndërhyrjet, që nga ndërtimet deri te edukimi arsimor. Kontratat për këto fusha do t’u jepen kompanive të mëdha amerikane. Por 50 përqind e fondeve të investimeve, do të përdoren për t’u nënkontraktuar me firma të huaja, nga vendet që morën pjesë në koalicionin e luftës kundër regjimit të Sadam Huseinit. Që në fillim të muajit të kaluar ambasadori amerikan njoftoi zyrtarisht autoritetet në Shqipëri se firmat dhe kompanitë shiptare janë të ftuara të marrin pjesë në këtë proces. Nga ky moment janë zhvilluar takime të ndryshme për të informuar biznesin shqiptar rreth procedurave që duhen ndjekur.

Gjatë një takimi të zhvilluar sot pasdite në dhomën e tregtisë shqiptaro- amerikane, ambasadori i shteteve të Bashkuara James Jeffry, njoftoi se përfaqësues të biznesit shqiptar do të marrin pjesë në një konferencë ndërkombëtare për rindërtimin e Irakut: "Interesi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që Shqipërisë t'i ofrohen shanse të drejta dhe të barabarta është mjaft i madh. Për këtë qëllim ne do të mbajmë një videokonferencë më 12 maj ku do japim informacione të mëtejshme. Shtetet e Bashkuara dhe Anglia janë duke përgatitur një konfererencë që quhet "Procesi i kontraktimit për rindërtimin e Irakut". Ajo - shpjegoi ambasadori Jeffry - do të mbahet në fund të këtij muaji dhe do të jetë e hapur për një numër të kufizuar biznesesh dhe përfaqësues qeverish. Dhe ne jemi duke punuar me qeverinë e Shqipërisë për të përzgjedhur përfaqësues nga këtu".

Ambasadori amerikan shpjegoi se biznesit shqiptar do t’i jepet gjithë mbështetja e nevojshme në fazën përgatitore, por se kontaktet me fimat amerikane duhet të bëhen nga ata vetë.

Aktualisht shumë kompani shqiptare kanë shprehur interes për të marrë pjesë në rindërtimin e Irakut, qoftë duke bashkëpunuar edhe mes tyre. Për momentin duket se më të favorizuara mund te jenë firmat e ndërtimit, të cilat gjatë këtyre viteve, kanë konsoliduar dhe zgjeruar aktivitetin e tyre. //ad//

XS
SM
MD
LG