Lidhje

Nënpresidenti Çeni- kandidat për nënpresident në zgjedhjet e 2004-ës - 2003-05-07


Nënpresidenti Dik Çeni ka rënë dakord të jetë kandidat për nën-president në zgjedhjet e vitit 2004 duke thënë se problemet shëndetësore nuk do ta pengojnë që të kandidojë përsëri së bashku me Presidentin Bush. Zoti Çeni kishte deklaruar edhe më parë se ai do të ishte i lumtur të kandidonte përsëri së bashku me Presidentin Bush në përpjekjen e tij për t’u rizgjedhur. Ai tha se nuk e dinte nëse Presidenti do ta shpallte zyrtarisht kandidaturën.

Nënpresidenti Çeni i tha një gazete të Teksasit se gjendja e tij shëndetësore është mjaft e mirë për të vënë përsëri kandidaturën si nënpresident në emër të Partisë Republikane. Qysh nga viti 1978, 62-vjeçari Çeni ka pësuar katër atake të zemrës dhe tani ka një mjek që e shoqëron vazhdimisht.

Presidenti Bush kishte thënë më parë se ai do t’i kërkonte zotit Çeni të vinte përsëri kandidaturën bashkë me të për zgjedhjet e vitit 2004. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, e quajti njoftimin e zotit Çeni thjesht një formalitet.

I pyetur nëse kjo shënon fillimin zyrtar të fushatës së presidentit Bush për rizgjedhje, zoti Fleischer tha vetëm kaq: se Presidenti do të ketë diçka për të thënë në kohën e duhur.

Nëse presidenti Bush i fiton përsëri zgjedhjet, ai nuk do të kishte mundësi ta vinte përsëri kandidaturën, prandaj ka pasur hamendje se Presidenti do të caktonte në vend të zotit Çeni dikë tjetër, i cili do të mund të kandidonte pastaj për president në vitin 2008.

Ish anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti Wyoming shihet gjerësisht si një njeri që nuk ka ambicje për t’u bërë president. Zoti Çeni ka shumë më tepër ndikim në qarqet politike të Uashingtonit se sa shumica e nënpresidentëve të tjerë në të kaluarën. Ai ishte një forcë shtytëse e politikës amerikane për Irakun dhe njihet si një nga konservatorët kryesorë të administratës për politikat sociale të saj. //ad//

XS
SM
MD
LG