Lidhje

Senati amerikan mbështeti zgjerimin e Natos - 2003-05-08


Senati amerikan shprehu mbështetje për raundin e dytë të zgjerimit të Natos, duke votuar njëzëri për pranimin e 7 vendeve të Evropës Lindore në Organizatën e Atlantikut Verior.

Në praninë e ministrave të jashtëm të Bullgarisë, Rumanisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, senatorët vunë në dukje se votimi i tyre në favor të zgjerimit të Natos bëhej në përvjetorin e fitores së aleatëve në Luftën e Dytë Botërore.

Udhëheqësi i shumicës së senatit, Bill Frist, theksoi mbështetjen e të shtatë vendeve në luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Irakut.

“Për ne duhet të jetë kuptimplotë fakti se të shtatë këto vende të cilat së shpejti do të bëhet aleate të Natos, ishin në anën tonë gjatë luftës për çlirimin e Irakut. Duke qenë se këtyre vendeve u është dashur të luftonin për çlirimin e tyre, ato e kuptojnë se liria nuk vjen lehtë,” tha senatori Frist.

Udhëheqësi i demokratëve të senatit, Tom Daschle u shpreh me të njëjtat tone.

“Ky është fillimi i një partneriteti i cili do të krijojë stabilitet më të madh botëror, angazhim më të madh ndërkombëtar në çështjet botërore dhe një partneritet me vendet të cilat do të bëhen partnerë dhe aleatë gjithnjë e më të vlefshëm të Shteteve të Bashkuara,” tha senatori Daschle.

Senatorët argumentuan se përfshirja e vendeve aspiruese mund të ndihmojë për të forcuar aleancën e Natos, e cila, sipas tyre ishte dobësuar për shkak të përçarjeve midis vendeve anëtare lidhur me luftën kundër Irakut.

Gjashtë nga 7 prej tyre ishin anëtare të koalicionit kundër Irakut, ndërsa njëra, Sllovenia, lejoi fluturimet mbi hapësirën e saj për misione humanitare.

Të nervozuar nga vendimi i Francës, Gjermanisë dhe Belgjikës për të bllokuar kërkesën e Turqisë e cila kërkonte forcimin e mbrojtjes së saj në prag të luftës, senatorët miratuan një amendament, që i propozonte Natos të hiqte dorë nga klauzola sipas së cilës vendimet e aleancës duhet të merren njëzëri. Amendamenti i kërkon gjithashtu Natos të shqyrtonte mundësinë e pezullimit të atyre anëtarëve që nuk u përmbahen parimeve demokratike.

Senatorët thonë se vendet që do të pranohen do ta rrisin numrin e forcave të Natos në rreth 200 mijë dhe do t’i shtojnë aleancës baza të reja të cilat do të mund të përdoren për misione në rajone të ndryshme të botës.

Anëtarësimi i shtatë vendeve të reja kandidate do të duhet të ratifikohet nga të 19 anëtarët e Natos. Norvegjia dhe Kanadaja janë të vetmet anëtare të tjera që e kanë miratuar raundin e dytë të zgjerimit të Natos.

Zgjerimi i parë i aleancës u bë në vitin 1999, kur ajo pranoi Republikën Çeke, Poloninë dhe Hungarinë. //ad//

XS
SM
MD
LG