Lidhje

Braum: SHBA mbështesin punën e UNMIK-ut dhe të zotit Shtajner - 2003-05-08


Një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se vendimi amerikan për të furnizuar me pajisje ushtarake Serbinë dhe Malin e Zi nuk do të ketë ndonjë ndikim në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën. Donald Braum, nëndrejtor për Kosovën në zyrën e Departamentit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara e mbështetin plotësisht punën e Kombeve të Bashkuara dhe të administratorit të saj në Kosovë, Mihael Shtajner. Zotin Braum e intervistoi kolegu ynë Elez Biberaj.

Zëri i Amerikës Zoti Braum, presidenti Bush ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do t’i japin pajisje ushtarake Serbisë dhe Malit të Zi. A nënkupton ky vendim një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Beogradit dhe çfarë ndikimi mund të ketë ky vendim për marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

D. Braum: Nuk do ta cilësoja si një kapitull të ri, por në Serbi janë bërë ndryshime, për shembull Millosheviçi dhe një numër figurash të tjera të akuzuar si kriminelë lufte janë dorëzuar në Hagë. Vrasja e kryeministrit Xhinxhiç ishte një ngjarje tragjike, por që atëherë kemi vënë re masa të qeverisë së Beogradit për të luftuar krimin e organizuar si dhe ka vazhduar bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës. Pra mendoj se po bëhet përparim në drejtimin e duhur. Eliminimi i pengesave ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Serbinë është pasojë e këtij përparimi, i cili shpresojmë të vazhdojë. Kjo masë nuk ka ndonjë ndikim në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zoti Braum, në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Kosovën, që u zhvillua para dy javësh, u dëgjuan vlerësime të ndryshme lidhur me përmbushjen e standarteve të shpallura nga UNMIK-u. Si e vlerësojnë Shtetet e Bashkuara përparimin që Kosova ka bërë në këtë drejtim? Si e vlerësoni ju ritmin e transferimit të kompetencave nga administrata ndërkombëtare tek institucionet vendore?

D. Braum: Këshilli e shqyrtoi në hollësi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe arriti në përfundimin se ka pasur rezultate të përziera në drejtim të përmbushjes së standarteve që i janë caktuar Kosovës. Për shembull institucione demokratike janë ngritur dhe po funksionojnë për më se një vit; janë kapërcyer disa prej problemeve me të cilat ndeshej fillimisht parlamenti, dhe po shohim përshpejtimin e ritmeve në proceset legjislative, gjë që është një shenjë shumë e mirë. Në përgjithësi në Kosovë janë organizuar tre zgjedhje demokratike shumë të mira. Në fushën e sundimit të ligjit, kushdo do të thoshte se forcat policore të Kosovës, të cilat numërojnë në radhët e tyre më shumë se 5 mijë qytetarë të Kosovës pasqyrojnë një sukses të konsiderueshëm. Është arritur përparim në drejtim të forcimit të sistemit gjyqësor. Në disa drejtime të tjera ka zhgënjim: numri i personave të kthyer në Kosovë, kur po mbushen afro katër vjet që nga përfundimi i konfliktit është shumë më i ulët nga ç’do të dëshironim. Mendoj se Zyra për Kthimet në Komunitete ka bërë planifikime shumë të mira, dhe me bashkëpunimin e të gjitha palëve tani jemi në një pozitë të tillë që të kemi një vit shumë të mirë për kthimet, dhe ta ndihmojmë Kosovën të përparojë në një drejtim që duan shumë banorë të saj, për t’u bërë një shoqëri demokratike shumë-etnike, në përputhje me standartet amerikane dhe evropiane. Pra kemi rezultate të përziera dhe se mbetet ende shumë më tepër për të bërë në drejtim të një numër standartesh. Për sa i përket kalimit të përgjegjësive, Shtetet e Bashkuara mbështetën deklaratën e Këshillit të Sigurimit në përkrahje të kalimit të të gjitha kompetencave jo-rezervë që mbeten brenda këtij viti në duart e autoriteteve të Kosovës. Mendoj se po bëhet përparim në atë drejtim. Është ngritur Këshilli i Transferimit të Kompetencave, i cili do të takohet së shpejti për të marrë raportet e grupeve të punës. Zoti Shtajner i tha popullit të Kosovës se është i gatshëm të kalojë kompetencat e tjera jo-rezervë brenda këtij viti, në varësi të aftësive të autoriteteve të përkohshme për t’u sjellë në mënyrë të përgjegjshme. Pra ne duam që kompetencat të transferohen, por kërkojmë njëkohësisht që këto kompetenca të shfrytëzohen si duhet, dhe unë jam optimist se ato do të shfrytëzohen në atë mënyrë.

Zëri i Amerikës: Zoti Braum, gjatë javëve dhe muajve të fundit është shtuar pakënaqësia ndaj UNMIK-ut, janë shtuar edhe kritikat nga disa udhëheqës shqiptarë të Kosovës si dhe nga mjetet vendore të informimit. A jeni të shqetësuar nga mungesa e marrëdhënies frytdhënëse midis UNMIK-ut dhe institucioneve vendore të Kosovës?

D. Braum: Unë nuk do ta cilësoja si një problem serioz. Pa dyshim, i kemi parë njoftimet e shtypit dhe ka një farë pakënaqësie nga disa lidhur me punën e UNMIK-ut, por dua të theksoj se nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, ne e mbështesin plotësisht punën e UNMIK-ut. Ata punojnë në kushte të vështira dhe kanë arritur përparim në një numër drejtimesh. Njerëzit në Kosovë nuk duhet ta vënë në dyshim se Shtetet e Bahskuara mbështesin plotësisht punën e zotit Shtajner dhe të ekipit të tij. Nëse herë pas herë shfaqen fërkime, kjo është e natyrshme në kushte të tilla. Nuk dua ta ekzagjeroj problemin dhe dua të ritheksoj se Shtetet e Bashkuara e mbështresin plotësisht punën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe të Përfaqësuesit të Posaçëm Shtajner.

Zëri i Amerikës: UNMIK-u dhe KFOR-i kanë vendosur të pezullojnë për një kohë të papërcaktuar kualifikimin e anëtarëve të TMK-së jashtë Kosovës. Si e shikojnë Shtetet e Bashkuara këtë veprim, i cili është pritur me disa kritika nga ana e shqiptarëve në Kosovë?

D. Braum: Është e vërtetë që është pezulluar procesi i kualifikimit për Trupat Mbrojtjëse jashtë Kosovës. Ka pasur një numër veprimtarish të planifikuara për muajin maj dhe më pas për qershorin. Kjo masë mendoj lidhet me çështjen nëse në radhët e këtyre forcave ka individë, që u përkasin ose kanë lidhje me organizata ekstremiste, si AKSH-ja. Mendojmë se ekzistojnë lidhje ndërmjet kësaj organizate dhe shkatërrimit të urës që shërbente si një arterie e rëndësishme komunikimi. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Komuniteti ndërkombëtar, si UNMIK-u dhe KFOR-i ia kanë bërë të qartë Gjeneral Çekut dhe të gjithë Trupave Mbrojtëse të Kosovës, se në mënyrë që organizata e tyre të bëjë përparim, ata nuk duhet të lejojnë në radhët e saj askënd që ka lidhje me organizata ekstremiste. Mendoj se kualifikimet janë pezulluar si një sinjal ndaj kësaj force për të bërë më shumë në mënyrë që të largojnë ata individë që kanë lidhje të tilla. Më inkurajon fakti që Gjeneral Çeku ka shkuar në rajone stërvitore të grupeve të ndryshme për ta bërë të qartë këtë mesazh. Ai ka thënë fjalë me vend, por ne presim të shohim vepra.

Zëri i Amerikës: Së fundi, zoti Braum, cilat do të thoshit ju se janë sfidat kryesore për Kosovën në një të ardhme të afërt?

D. Braum: Do të ritheksoj përsëri standartet dhe nevojën për të arritur përparim në standartet që duhet të përmbushen para diskutimit të statusit. Standartet janë në interes të Kosovës dhe popullit të saj; këto janë objektiva që duhen përmbushur pavarësisht nga statusi i ardhshëm politik i Kosovës. Nuk kemi folur për ekonominë, por ka nivele shumë të larta papunësie që luhaten në shifrat 60-65 apo70 për qind. Kam besim se së shpejti do të vihet në zbatim ligji për dhënien me qera të tokës si dhe të fillojnë privatizimet e pronave private. Mendoj se ka pasur edhe investime të jashtme inkurajuese, gjë që duhet të vazhdojë, prandaj nuk duhet të ketë pengesa politike ndaj procesit të privatizimit. Mendoj se duhet të fillojnë përgatitjet për një dialog ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre në Beograd. Përparimi i Kosovës nuk mund të ecë shumë përpara pa realizuar më parë disa bisedime në nivel teknik me autoritetet e Beogradit. Mendoj se duhet t’i kushtohet vëmendje kësaj çështjeje, tani që ka kaluar një farë kohe që pas vrasjes së kryeministrit Xhinxhiç.

XS
SM
MD
LG