Lidhje

Sekretari Pauell fillon një mision në Lindjen e Mesme - 2003-05-09


Sekretari amerikan i Shtetit Kolin Pauell niset të premten në mbrëmje nga Washingtoni për bisedimet e tij të para me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë në rajon në mëse një vit. Zoti Pauell do të ushtrojë trysni që të ndërmerren hapa për zbatimin e planit të paqes që ka për qëllim zgjidhjen e konfliktit të Lindjes së Mesme brenda një periudhe 3 vjeçare. Misioni i zotit Pauell fillon në një kohë kur në Washington ekziston një atmosferë optimizmi se rrethanat e reja, përfshirë emërimin e një kabineti palestinez reformator të kryesuar nga kryeministri Mahmud Abaz, i kanë shtuar shanset për zgjidhjen e konfliktit.

Kjo u pasqyrua edhe në komentet e presidentit Bush dje në takimin që pati në Shtëpinë e Bardhë me Emirin e Katarit, Sheikun Hamad Bin Khalifa al-Tani:

“Pa dyshim do të arrijmë përparim. Patjetër. Arsye për këtë është fakti se Autoriteti Palestinez ka tani në udhëheqje, kryeministrin Abaz i cili e ka dënuar dhunën. Ai ka thënë se dëshiron të punojë me ne për ta bërë rajonin më të sigurtë. Ai e kupton dhe ne e kemi të qartë se procesi i paqes do të përparojë vetëm nëse dhe kur të bëhen përpjekje të përbashkëta për të luftuar dhunën,” tha presidenti.

Plani i paqes i përgatitur nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, iu dorëzua të dyja palëve më 30 prill. Plani thekson nevojën e masave politike dhe të sigurimit nga të dyja palët, të cilat do të çojnë në krijimin e shtetit palestinez dhe njohjen e Izraelit nga mbarë bota arabe brenda vitit 2005.

Zoti Pauell, i cili bëri javën e kaluar një vizitë të shkurtër në Siri dhe Liban, do të takohet me kryeministrin izraelit Ariel Sharon në Jeruzalem dhe zotin Abaz në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor të dielën për bisedimet e para të këtij lloji që pas vizitës së tij të fundit në prill të vitit të kaluar në Lindjen e Mesme.

Qëllimi i tij do të jetë të bindë të dyja palët për të ndërmarrë hapa fillestare për krijimin e besimit, në mënyrë që t’i hapet rruga zbatimit të planit të paqes.

Por periudha që i parapriu vizitës së tij është karakterizuar nga vazhdimi i dhunës, përfshirë sulmin e djeshëm të një helikopteri izraelit në Gazë nga i cili gjeti vdekjen një zyrtar i grupit ekstremist palestinez Hamas, si dhe sulmi vetvrasës me makinë-bombë i një palestinezi, i cili kishte në shenjestër trupat izraelite në Gazë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Riçard Bauçer tha se incidentet ritheksojnë nevojën që palët të ndërmarrin hapa praktike për zbatimin e planit të paqes, masa sigurimi nga pala palestineze si dhe veprime nga Izraeli për të përmirësuar kushtet e jetesës për palestinezët e thjeshtë.

Zoti Bauçer tha se vazhdimi i vrasjeve të ekstremistëve palestinezë nga forcat izraelite nuk i ndihmon përpjekjet amerikane për paqe:

“Qëndrimi ynë ndaj këtyre vrasjeve ka qenë dhe mbetet se këto akte minojnë përpjekjet për arritjen e paqes. Ato acarojnë gjendjen në rajon dhe nuk i shërbejnë përparimit në drejtim të reformave palestineze civile dhe të sigurimit si dhe të gjithë synimeve të tjera që po përpiqemi të arrijmë. E kemi bërë gjithashtu të qartë se Izraeli ka të drejtën të vetmbrohet dhe se dhuna dhe terrori që kanë si objekt popullin izraelit janë të pajustifikueshme,” tha zëdhënësi Bauçer.

Zoti Bauçer tha se Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit të ketë parasysh pasojat e veprimeve të tij ushtarake në rajonet palestineze si dhe të ndërmarrë masat e përshtatshme për të parandaluar dëme në radhët e personave të pafajshëm dhe në infrastrukturën civile.

Pas takimeve në Jeruzalem dhe Ramallah të dielën, më 11 maj, Sekretari Pauell do të informojë udhëheqësit në Egjipt, Jordani dhe Arabi Saudite para se t’i japë fund misionit të tij me ndalesa në Evropë. Dialogu mbi planin e paqes do të vazhdojë deri më 20 maj kur kryeministri Sharon të takohet me presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë. //ad//

XS
SM
MD
LG