Lidhje

FMN: Përsëri shqetësime mbi nivelin e të ardhurave nga taksat dhe doganat në Shqipëri - 2003-05-09


Hossein Samiei, zëvendës shef sektori për Evropën Juglindore në Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili kohët e fundit vizitoi Shqipërinë, thotë se vetëm fjalët nuk nuk do të mjaftonin nëse midis zyrtarëve të atjeshëm nuk ka një angazhim të fortë për të luftuar korrupsionin. Ai tha se pret që gjatë këtij viti, prodhimi i përgjithshëm kombëtar të shtohet në krahasim me një vit më parë, por përsëri ka shqetësime lidhur me nivelin e të ardhurave nga taksat dhe doganat. Zotin Samiei e intervistoi Elez Biberaj.

Z. i Amerikës: Zoti Samiei, ju sapo jeni kthyer nga një vizitë dyjavore në Shqipëri ku jeni takuar me zyrtarë të lartë. Cilat janë përshtypjet tuaja nga vizita?

H. Samiei: Ne vumë re se stabiliteti makroekonomik ka vazhduar. Sidomos inflacioni ka qenë i ulët dhe gjatë kohës që ishim atje në fakt Banka e Shqipërisë i uli interesat, gjë që ishte një hap me vend. Ne presim që gjatë këtij viti rritja e prodhimit të brendshëm bruto të shtohet në një farë mase në krahasim me vitin e kaluar. Deficiti fiskal është në rrugën e duhur. Megjithatë, ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar lidhur me nivelin e të ardhurave nga taksat si dhe rreth shpenzimeve dhe administrimit të tyre. Një pjesë e mirë e diskutimeve tona me autoritetet kishte të bënte me përmirësimin e administratës së taksave dhe doganave, si për të ulur evazionin fiskal ashtu edhe për të përmirësuar marrëdhëniet me taksapaguesit. Sepse për të përmirësuar klimën e biznesit, kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e marrëdhënieve që qeveria ka me bizneset. Edhe për sa u përket shpenzimeve, është me shumë rëndësi që të përmirësohet menaxhimi për të rritur shpenzimet në strategjitë e uljes së varfërisë. Përgjithësisht, ecuria për sa i përket objektivave si sasi ka qenë e mirë por ecuria në reformat strukturore ka nevojë të përmirësohet më tej. Ne biseduam sidomos për përmirësimin e klimës së biznesit përmes një dialogu më të mirë me bizneset, nëpërmjet përmirësimit të administratës së taksave dhe të doganave dhe luftës kundër arbitraritetit në marrjen e vendimeve. Natyrisht, një pjesë e rëndësishme e kësaj janë përpjekjet për të luftuar korrupsionin. Ne jemi të kënaqur që autoritetet kanë shprehur angazhimin e tyre për ta bërë këtë.

Z. i Amerikës: Zoti Samiei, sa përparim kanë bërë autoritetet shqiptare në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm që do të nxiste investimet si nga jashtë edhe nga brenda?

H. Samiei: Siç mund ta dini, që të formojmë një ide sa më të mirë për gjendjen, ne nuk bisedojmë vetëm me autoritetet por edhe me bizneset, përveç grupeve të shoqërisë civile. Ne biseduam si me investitorët e huaj edhe me ata vendas. Mund t’ju them se mbetëm të kënaqur me një farë përparimi që është bërë në këtë fushë. Bizneset dhe bankat e huaja me të cilat folëm, ishin të kënaqur me përparimin në përmirësimin e disa aspekteve të administratës së taksave, sidomos në çështjen e ngrirjes së llogarive bankare, që ishte burim i madh ankesash. Përmirësim ishte bërë edhe në vlerësimin e importeve për doganat. Kjo ishte diçka me të cilën bizneset ishin të kënaqur. Megjithatë, sidomos kur folëm me investitorët vendës, pati përsëri shumë ankesa për arbitraritetin në sistemin e marrjes së vendimeve, për ndikimin e grupeve të interesit në këro vendime. Mendoj se qeveria është në rrugë të drejtë.

Z. i Amerikës: Niveli i korrupsionit në Shqipëri është mjaft i lartë. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe sipas jush personalisht, çfarë masash mund të marrin autoritetet shqiptare për të rritur transparencën sidomos përsa u përket tenderave qeveritarë dhe për të pakësuar mundësitë për veprime korruptive?

H. Samiei: Lufta kundër korrupsionit, megjithëse duhet të jetë një politikë qendrore në Shqipëri, nuk është diçka në të cilën ne si Fond Monetar Ndërkombëtar marrim pjesë drejtpërdrejt. Kjo është një fushë ku qeveria merr udhëzime të shumta dhe ndihmë teknike nga Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian. Në të njëjtën kohë, për shkak të rëndësisë që kjo ka për klimën e biznesit, për perspektivën e rritjes, për të ardhurat nga taksat e të tjera, ne patur bisedime të hollësishme rreth kësaj çështjeje. Ne u theksuam autoriteteve disa çështje lidhur me taksat dhe doganat. Folëm gjithashtu për transparencën, e cila siç e përmendët edhe ju është me shumë rëndësi për zhvillimin e një sistemi ku emërimet të bazohen në meritat e njerëzve. Ne ramë dakord me autoritetet se ligji për shërbimin civil duhet të shtrihet dhe të përfshijë edhe zyrtarë të departamenteve të tjera, përveç ministrive. Kjo, mendojmë ne, do të përmirësojë klimën në departamentet e doganave dhe të taksave. Për sa u përket shpenzimeve, ne ramë dakord me qeverinë se buxheti duhet të jetë më transparent. Ata thanë se do ta rrisin transparencën e buxhetit gjatë dy vjetëve të ardhshëm dhe ne mendojmë se kjo do të përmirësojë vendimet në këtë drejtim.

Z. i Amerikës: Gjatë 10 vjetëve të fundit ne kemi parë qeveri të ndryshme ahqiptare që kanë shpallur strategji të ndryshme për të luftuar korrupsionin por përsëri ky mbetet një ndër problemet madhore me të cilat përballet Shqipëria. A mendoni se politikanët shqiptarë e pranojnë faktin se eliminimi i korrupsionit është një parakusht për krijimin e një ekonomie të vërtetë të tregut të lirë dhe të një shoqërie demokratike që bazohet në sundimin e ligjit?

H. Samiei: Ajo që mund t’ju them është se bazuar në bisedat që patëm me autoritetet, jemi të inkurajuar nga angazhimet që shprehën ata për këtë qëllim. Mendoj se ata e pranojnë se kjo është një çështje me rëndësi. Të gjithë duan që shkalla e korrupsionit të jetë më e ulët, të gjithë dëshirojnë që rritja të jetë më e lartë dhe që klima e biznesit të jetë më e mirë. E rëndësishme është që autoritetet dhe sidomos kryeministri të jenë të angazhuar në këtë proces. Nëse nuk ka një angazhim të fortë, kuptohet që vetëm fjalët nuk mjaftojnë për ta bërë këtë. Ne na inkurajon për shembull fakti që kryeministri Nano në muajin shkurt i dërgoi një letër drejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku i shprehte angazhimin e tij personal për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar klimën e biznesit. Mendoj se këto të bëjnë të ndjehesh i inkurajuar se gjërat do të përmirësohen. Kjo nuk është e lehtë. Siç e përmendët edhe ju, megjithëse kanë kaluar 10 vjet, Shqipëria vazhdon të jetë prapa, prandaj kjo duhet të jetë një pjesë qendrore e politikës së qeverisë.//ii

XS
SM
MD
LG