Lidhje

Shpallen konkurentët për Festivalin e sivjetshëm të Kanës - 2003-05-09


Këtë vit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë do të konkurojnë përballë njerë-tjetrit disa nga emrat më të njohur të kinematografisë botërore, përkrah disa regjizorëve të rinj që marrin pjesë për herë të parë në këtë konkurim. Organizatorët e Festivalit paraqitën filmat që janë zgjedhur për të konkuruar. Në festival marrin pjesë 13 vende, të cilët kanë paraqitur gjithsej 20 filma që konkurojnë për çmimin Palma e Artë. Gjashtë regjizorë të rinj konkurojnë këtë vit në festivalin e filmit në Kanë përballë veteranit Klint Eastwood, i cili kthehet në këtë festival pas një mungese të gjatë.

Tre filma nga Shtetet e Bashkuara konkurojnë në festivalin e sivjetshëm. Regjizori Klint Eastwood paraqitet me filmin -Mystic River- përkrah dy konkurentëve të rinj po nga Shtetet e Bashkuara: Gus Van Sant me filmin -Elephant- dhe Vincent Gallo me filmin -The Brown Bunny-.

Regjizori italian Avanti paraqet filmin -Il Cuore Altrove- mbi jetën në Itali në vitet 30. Regjizorja 23-vjeçare nga Irani, Samira Makmalbah konkuron këtë vit për të dytën herë radhazi. Franca është ndër pretendentet më të fuqishme me pesë filma në konkurim.

Filmi amerikan -The Matrix Reloaded- vazhdim i suksesit të madh kinematografik -The Matrix-, i vëllezërve Andy dhe Larry Wachowski, me aktorin Keanu Reeves do të shfaqet jashtë konkurimit gjatë festivalit. Organizatorët thanë se e gjithë trupa e aktorëve do të jetë e pranishme në Kanë.

Filmdashësit do të kenë mundësinë që këtë radhë të shohin disa prej idhujve të tyre të ekranit kinematografik si Nicole Kidman, Sean Pean, James Caan dhe Meg Ryan, një ndër 9 anëtarët e jurisë së kryesuar nga regjizorja franceze Patrice Chereau.

Festivali i Kanës do të nderojë këtë vit edhe aktoren legjendare franceze Jeanne Moreau dhe regjizorin italian Federico Fellini.

Festivali hapet me 14 maj me filmin e regjizorit Gerard Krawczyk -Fanfan la Tulipe- me aktorët Vincent Perez dhe Penelope Cruz. Filmi klasik -Kohët Moderne- i regjizorit Charlie Chaplin do të mbyllë 11 ditët e konkurimit në Kanë.

Ndërkaq, ylli i muzikës rok, Paul McCartney u kthye në Gjermani për koncertin e tij të parë në më se 10 vjet. Artisti u prit me entuziazëm të madh nga 14 mijë simpatizantën e mbledhur në Kolnarena të qytet Këln.

McCartney këndoi afro 40 këngë nga repertori i tij i mirënjohur. Artdashësit e pritën me shumë entuziazëm ish-pjesëtarin e Beatlesave, i cili, megjithë kalimin e viteve ishte po aq tërheqës sa në fillimet e karrierës së tij 4 dekada më parë. Pika kulmore e koncertit ishte interpretimi i këngës Live and Let Die nga kolona zanore e filmit me agjentin 007, ndërsa gjatë këngëve Hey Jude dhe Can’t Buy me Love spektatorët u ngritën në këmbë dhe filluan të këndonin me artistin. //ad//

XS
SM
MD
LG