Lidhje

Presidenti Moisiu bën thirje për reformimin e sistemit gjyqësor - 2003-05-10


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, u bëri sot thirrje punonjësve të drejtësisë që të zbatojnë me përgjegjësi detyrat ligjore me zgjidhjen e konflikteve të popullatës dhe reformimin e këtij sektori. Zoti Moisiu i bëri këto komente të shtunën në një mbledhje përkujtimore me rastin e 90- vjetorit të drejtësisë shqiptare.

“Drejtësia nuk ka më asnjë arësye pse t’i ankohet më tej politikës, për duhet t’i dalë zot detyrave dhe të drejtave të veta që u sigurojnë ligjet dhe Kushtetuta,” tha zoti Moisiu.

Presidenti Moisiu tha se punonjësit e gjykatave dhe prokurorisë duhet të shqyrtojnë me vëmendje kërkesat dhe kritikat serioze që ka shprehur Bashkimi Europian në raportin e fundit.

BE i kërkoi Shqipërisë një luftë të vendosur kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit, reformave të ligjit dhe procesit zgjedhor dhe një ligj të ri për pronat.

Çështja e pronave po debatohet sërish mes pozitës dhe opozitës, ndërkohë që projekt- ligji i qeverisë për pronat është ende duke u shqyrtuar në zyrat e parlamentit. Opozita po përpiqet të bëjë ndryshime thelbësore në projektin e sjellë nga qeveria, ndërsa socialistët thonë se ky projekt është fryt i mirëkuptimit të forcave politike në zyrën e Presidentit Moisiu.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Bamir Topi, tha sot se kryeministri Fatos Nano po përpiqet që të ndikojë tek drejtuesit e parlamentit për ta kaluar ligjin pa ndryshime. Duke iu referuar një letërkëmbimi të qeverisë me parlamentin, zoti Topi tha se kryeministri është duke ushtruar një lloj presioni ndaj parlamentit, institucioni më i lartë ligjvënës.

“Ai (z.Nano) bie ndesh gjithashtu me vërejtjet e OSBE-së, sepse është pranuar nga të gjithë palët që OSBE luan rolin e mediatorit, mbi bazën edhe të një ekspertize, për të bërë një ligj me konsensus nga të gjithë partitë parlamentare” – tha zoti Topi.

Hartimi i ligjit të ri për pronat është një ndër katër kërkesat kryesore që BE u drejtoi autoriteteve shqiptare me rastin e hapjes së bisedimeve për marrëveshjen e stabilizim- asociimit.

Presidenti Moisiu organizoi në janar një tryezë me të gjitha partitë politike të parlamentit për çështjen e pronave. Mirëkuptimi i arritur në tryezë përfshinte në një deklaratë kthimin e pronave që ishin ende të lira, kompensimin me prona të tjera ose me të holla për të gjitha ato prona që janë zënë gjatë viteve të tranzicionit. Marrëveshja i kërkoi qeverisë që brenda shkurtit të hartonte një ligj sipas këtyre pikave. OSBE mori përsipër që të bashkëpunonte me specialistët shqiptarë për të hartuar këtë ligj, duke shërbyer edhe si ndërmjetës midis faktorëve të ndryshëm të politikës shqiptare. //ad//

XS
SM
MD
LG