Lidhje

Maqedoni: tryezë e rrumbullakët mbi punën 6-mujore të qeverisë - 2003-05-10


Udhëheqës të partive politike, diplomatë dhe përfaqësues të qeverisë po diskutojnë sot në Mavrovë lidhur me punën 6-mujore të qeverisë së re të Maqedonisë, të kryesuar nga socialdemokratët e kryeministrit Branko Cërvenkovski. Në tryezën dy-ditore, e cila pritet të miratojë nesër konkluzionet e saj, po debatohet për arritjet dhe problemet me të cilat ballafaqohet qeveria në punën e saj për zbatimin e marrëveshjes së paqes.

Udhëheqës të partive politike në Maqedoni, drejtes të qeverisë dhe përfaqësues të ambasadave të akredituara në Shkup, filluan sot një tryezë të rrumbullakët dy-ditore në Mavrovë, për të debatuar lidhur me punën 6-mujore të koalicionit të ri qeveritar të udhëhequr nga socialdemokratët e kryeministrit Branko Cërvenkovski. Në këtë tryezë, nga pala shqiptare, marrin pjesë Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili bën pjesë në koalicionin qeveritar, i shoqëruar me dy nënkryetarë të partisë, Agron Buxhaku dhe Teuta Arifi, marrin pjesë gjithashtu Arbër Xhaferri dhe Menduh Thaci, përkatësisht kryetari dhe nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, në dorëheqje dhe drejtuesit e Partisë për Prosperitet Demokratik, Abdurrahman Haliti dhe Ismet Ramadani. Nga pala maqedonase, marrin pjesë përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, partisë së ish-kryeministrit Lupco Georgievski, Lidhjes Socialdemokrate në pushtet dhe liberal-demokratët. Nga pala ndërkombëtare, marrin pjesë përfaqësuesi i posacëm i BE-së në Maqedoni, Aleksis Bruhns, përfaqësuesi i NATO-s Robert Serry dhe përfaqësues të ambasadave të Shteteve të Bashkuara dhe Zvicrës. Tryeza e rrumbullakët organizohet nga ambasada zvicerane në Shkup dhe organizata jo-qeveritare “Projekti për Marrëdhëniet ndër-komunitare”.

Organizatorët e tryezës kanë theksuar se marrëveshja e paqes, pati si gur themeli mendimin e përbashkër se ekzistenca e Maqedonisë në kufijtë e tashëm është në interes të të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Ata kanë thënë gjithashtu se problemet sociale dhe politike të Maqedonisë nuk mund të zgjidhen me ndarjen e saj por me gjetjen e zgjidhjeve demokratike, afatgjata që do të mundësojnë zhvillimin e Maqedonisë si shtet shumëetnik dhe shumëkulturor. Organizatorët pohojnë se zbatimi i marrëveshjes është punë e vështirë dhe se kjo përfshin edhe gadishmërinë për kompromis.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se takimi i sotëm është vazhdim i një takimi të mbajtur një vit më parë në Zvicër dhe se në të janë paraqitur të gjitha anët negative me të cilat përballet koalicioni i ri qeveritar në zbatimin e plotë të marrëveshjes së paqes, por edhe hapat pozitivë që po arrihen.

Kryetari i PDSH-së, Arbër Xhaferri në dorëheqje, ka thënë se koalicioni qeveritar po përballet me 3 segmente kyce në zbatimin e marrëveshjes së paqes, përdorimi I gjuhës shqipe, përfaqësimi i duhur i shqiptarëve në administratë dhe ndërmarrjet publike dhe decentralizimi i pushtetit. Në fund të tryezës, nesër, pritet të miratohen konkluzionet e saj. //ad//

XS
SM
MD
LG