Lidhje

Si mund të pritet projekt-rezoluta e re amerikane në Këshillin e Sigurimit? - 2003-05-10


Në mars, përpjekja e Shteteve të Bashkuara për të siguruar mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ndërhyrje ushtarake në Irak, përfundoi në acarim të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve anëtare të këshillit.

Tani Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur një projekt-rezolutë në këshill mbi rindërtimin e Irakut. Rezoluta e re mund të ndihmojë për rregullimin e marrëdhënieve, pas atij debati të hidhur.

Pasi iu hodh poshtë kërkesa për mbështetje të Kombeve të Bashkuara lidhur me ndërhyrjen ushtarake në Irak, Shtetet e Bashkuara janë kthyer përsëri në Këshillin e Sigurimit, këtë radhë për ndihmë për rindërtim.

Morton Halperin, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit thotë se megjithëse në administratën e Presidentit Bush ka prej tyre që do të parapëlqenin t’i shpërfillnin Kombet e Bashkuara, ata tani e kuptojnë se Kombet e Bashkuara janë jetike për Irakun e pasluftës.

Para luftës në Irak, në Këshillin e Sigurimit pati debate të ashpra, që disa herë morën formë fare jodiplomatike lidhur me nevojën për veprim ushtarak. Franca, Gjermania dhe Rusia bllokuan përpjekjet amerikane për një rezolutë që të autorizonte përdorimin e forcës. Ndërhyrja e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, pa përkrahjen e Këshillit, shkaktoi çarje të thella në marrëdhënie.

Jonathan Tepperman, redaktor në revistën e Çështjeve të Jashtme, Foreign Affairs Magazine, thotë se Shtetet e Bashkuara po përpiqen t’i rregullojnë marrëdhëniet me vende si Franca edhe Rusia duke u dhënë një rol, por duke ruajtur kontroll të përgjithshëm në përpjekjet për rindërtimin e Irakut.

“Mendoj se administrata e Presidentit Bush është bërë më në fund e vetëdijshme se duhet të veprojmë në mënyrë më diplomatike, gjë që nuk e bëri herën e parë në Këshillin e Sigurimit. Dhe kështuqë tani ata po sillen butë si me Kombet e Bashkuara, ashtu edhe me vende si Franca dhe Rusia, në mënyrë të dukshme dhe të hapur”, tha zoti Tepperman.

Në projekt-rezolutën amerikane kërkohet heqja e sanksioneve kundër Irakut, por po ashtu Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre cilësohen si autoriteti drejtues në Irak derisa të vijë në pushtet një qeveri e përkohshme. Ndërsa Kombet e Bashkuara duhet të luajnë një rol jetik për dhënien e ndihmës humanitare, në mbështetje ndaj rindërtimit të Irakut dhe të ndihmojnë në formimin e një autoriteti kalimtar në Iraq.

Por shprehja “rol jetik” nuk është përcaktuar qartë. Zoti Halperin thotë se disa vende që duan të japin kontributin e tyre në rindërtimin e Irakut, por vetëm nëse bëhet nën flamurin e Kombeve të Bashkuara.

“Shumë vende kanë aftësi që ne na duhen shumë, si ato policore, në fushën e gjykatave civile dhe sistemit të drejtësisë kriminale, por kanë thënë se nuk do të angazhohen nëse përpjekjet nuk bëhen nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Mendoj se në projektrezolutë kjo kërkesë është pothuajse e përmbushur, por jo plotësisht dhe në këtë pikë do të nevojiten diskutime dhe negociata të mëtejshme”, tha zoti Halperin.

Rusia dhe Franca kanë propozimet e tyre dhe mes 15 vendeve të Këshillit mund të zhvillohen negociata të vështira, para se të arrihet një gjuhë e pranueshme për të gjithë.//kk//

XS
SM
MD
LG