Lidhje

Sekretari i Shtetit Powell mbërrin në Izrael - 2003-05-10


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell ndodhet në Izrael për të filluar një raund bisedimesh mbi rigjallërimin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme përmes zbatimit të një plani të ri ndërkombëtar për paqen.

Zoti Powell do të zhvillojë bisedime me kryeministrin izraelit Ariel Sharon dhe zyrtarë të tjerë izraelitë para se të shkojë nesër në Bregun Perëndimor për t’u takuar me kryeministrin e ri palestinez Mahmud Abaz.

Gjatë fluturimit për në Izrael, zoti Powell u tha gazetarëve se izraelitët dhe palestinezët duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershme për të lehtësuar tensionet dhe për ta çuar përpara procesin e paqes.

Zoti Powell tha se është e qartë që palestinezët duhet të përmirësojnë masat e sigurisë për të ndalur sulmet terroriste, ndërsa izraelitët duhet të ndërmarrin masa për të lehtësuar kufizimet ndaj palestinezëve.

Pas bisedimeve me izraelitët dhe palestinezët, zoti Powell do t’i njohë zyrtarët në Arabinë Saudite, Egjipt dhe Jordani mbi rezultatin e tyre.

Zoti Powell pritet të fillojë bisedimet në Jeruzalem me Ministrin e jashtëm izraelit Silvan Shalom. Bisedimet do t’i hapin rrugën një dite të ngjeshur me takime nesër me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë.

Ai pritet të takohet nesër me Kryeministrin izraelit Ariel Sharon dhe homologun e tij të ri palestinez, Mahmoud Abbas, që njihet edhe me emrin Abu Mazen.

Por Sekretari i Shtetit nuk do të takohet me Presidentin palestinez Yasser Arafat, duke ndjekur kështu politikën amerikane dhe izraelite për ta izoluar zotin Arafat, për të cilin Presidenti Bush thotë se duhet të zëvendësohet.

Zoti Powell pritet t’u kërkojë të dyja palëve që të marrin masa për të ngjallur besimin mes tyre, në mënyrë që të garantohet suksesi i planit të paqes.

Plani është propozuar nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Evropian dhe OKB-ja. Në dokument bëhet thirrje që t’i jepet fund konfliktit izraelito-palestinez dhe të krijohet një shtet i pavarur palestinez në vitin 2005.//kk//

XS
SM
MD
LG