Lidhje

Administrata amerikane po zëvendëson ekipin e zyrtarëve të lartë në krye të përpjekjeve për rindërtimin e Irakut - 2003-05-11


Zyrtarët amerikanë thonë se administrata e presidentit Bush po zëvendëson ekipin e zyrtarëve të lartë që drejtojnë përpjekjet për rindërtimin e Irakut. Barbara Bodine, bashkërenduese për Irakun qendror dhe praktikisht ka shërbyer si kryetare e bashkisë së Bagdatit, pritej të kthehej të djelën në Uashington. Zonja Bodine, diplomatja më e lartë grua në ekipin amerikan në Irak, do të fillojë një detyrë tjetër të lartë në Departamentin e Shtetit. Gazeta Uashington Post citon zyrtarë amerikanë që thonë se anëtarë të tjerë të lartë nga ekipi i rindërtimit të Irakut, përfshirë edhe gjeneralin në pension Xhei Garner, do të largohen brenda dy javësh. Gazeta po ashtu citon zyrtarë që thonë se deri në fund të muajit në Bagdat do të ngrihet një ekip drejtimi krejt i ndryshëm. Zyra për Rindërtimin dhe Ndihmat Humanitare në Departamentin e Mbrojtjes nuk ka bërë ende ndonjë koment. Ky ndryshim bëhet vetëm disa ditë pasi presidenti Bush emëroi diplomatin veteran Pol Bremer si administratorin më të lartë civil të Irakut. Gjenerali Garner mbërriti në Bagdat në muajin prill duke thënë se priste të qëndronte në Irak për 3 muaj. Megjithatë iraianët thonë se adminsitrata e zotit garner nuk arriti të ushtrojë autoritet dhe të zbatojë premtimin për të rivendosur shërbimet e nevojshme bazë për popullsinë. Ndërkaq, udhëheqësi i sektit myssliman shi’it, grupi fetar që përbën shumicën e popullsisë së Irakut, bëri thirrje për krijimin e një qeverie islamike, jashtë çdo ndikimi të huaj. Ajatollahu Mohamed Bakir al-Hakim tha se Iraku i ri ka nevojë për një qeveri moderne islamike që respekton si besimtarët shi’itë, pakicën myslimane suni, kurdët, turqit dhe të krishterët. Ajatollahu Hakim, i cili u kthye të shtunën në Irak pas një mërgimi 23 vjeçar në Iran, tha para një turme prej 100 mijë përkrahësish se Iraku ka filluar tani, sipas fjalëve të tij “një luftë të shenjtë rindërtimi” dhe një marshim drejt pavarësisë.

Kamion që shërbente si laborator i lëvizshëm biologjik

Gazeta Nju Jork Tajms shkruan se një ekip ekspertësh që po kërkon për armë irakiane të ndaluara, kanë arritur në përfundimin se karroceria e një kamioni që u gjet muajin e kaluar në Irak, shërbente si një laborator i lëvizshëm për armë biologjike. Sipas gazetës, ekipi i tre specialistëve arriti në këtë përfundim pas analizimit të hollësishëm të kamionit i cili u gjet në qytetin Mosul. Megjithatë disa ekspertë nuk janë ende të sigurtë se ky laborator i lëvizshëm përdorej për prodhimin e agjentëve biologjikë. Sipas njoftimeve, laboratori ishte i pajisur me aparatura që përdoren për prodhimin e vaksinave dhe preparateve të tjera për qëllime mjekësore, por të njëjtat pajisje mund të jenë përdorur edhe për përgatitjen e agjentëve biologjikë. Drejtuesi i ekipit të specialistëve amerikanë citohet të ketë thënë se mosraportimi nga Bagdati i laboratëve të tillë, që kanë përdorim të dyfishtë, është shkelje e qartë e kërkesave të OKB-së. Ka njoftime se forcat amerikane në Irak kanë gjetur pjesë të të tre laboratorëve të tjerë të lëvizshëm dhe informacionet e zbulimit bëjnë të ditur se në këtë vend mund të ketë edhe 5 laboratorë të tjerë të lëvizshëm. //az//

XS
SM
MD
LG