Lidhje

Irak: të shpërngulurit kërkojnë shtëpitë e tyre; partitë etnike diskutojnë për ndarjen e vendit - 2003-05-11


Menjëherë pas përfundimit të luftës në Irak, mijëra të shpërngulur u kthyen në pjesën veriore të vendit për të kërkuar shtëpitë dhe fermat e tyre në qytetin Kirkuk e përreth tij. Ekspertë nga rajoni u mblodhën kohët e fundit në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, në qytetin e Nju Jorkut, për të diskutuar mbi rrugët për zgjidhjen e konflikteve lidhur me pronat, ndërmjet kurdëve të Irakut që po kthehen dhe arabëve.

Qubad Talabani është zëvendës-përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara për partinë Bashkimi Patriotik i Kurdistanit. Partia e tij dhe Partia Demokratike e Kurdistanit, përfaqësojnë dy fraksionet kryesore kurde, që do të luajnë rol të rëndësishëm në një qeveri të përkohshme irakiane.

Zoti Talabani thotë se ripronësimet, edhe pse të pa sanksionuara zyrtarisht nga Bashkimi Patriotik i Kurdistanit, janë të pashmangshme. “ Kemi të bëjmë me çështjen e spastrimit etnik në Kirkuk, ku regjime të njëpasnjëshme irakiane dhe jo vetëm ai i Sadam Huseinit, i kanë dëbuar me forcë kurdët, turkmenët dhe asirianët nga shtëpitë e tyre, duke i zëvendësuar me kolonë arabë nga pjesa jugore dhe qendrore e vendit. Si rezultat i kësaj fushate, në veri kemi 400 mijë persona të shpërngulur brenda vendit. Dhe natyrisht disa nga këta njerëz do të kërkojnë shtëpitë e tyre. A mund t’u dalim përpara këtyre njerëzve dhe t’u themi : Jo, ju nuk mund t’i kërkoni shtëpitë tuaja?”

Zoti Talabani mendon se procesi i kërkimit të pronave ka qenë relativisht i rregullt. Por ai thekson se pa një proces për të kthyer zyrtarisht njerëzit e shpërngulur në shtëpitë e tyre, gjendja do të keqësohej. Trashëgimia e spastrimit etnik është vetëm një aspekt i dhimbshëm i marrëdhënieve ndërmjet irakianëve. Nga mesi i viteve 1990, Bashkimi Patriotik i Kurdistanit dhe Partia Demokratike e Kurdistanit, zhvilluan një luftë kryesisht për të ardhurat nga nafta. Robert Naer, zyrtar i Cias, i cili ka punuar për një kohë të gjatë në Lindjen e Mesme, thotë se pa një prani afatgjatë të Shteteve të Bashkuara në Irak, ajo luftë do të rifillonte aty ku u ndërpre në vitin 1997. “Natyrisht do të varet nga Shtetet e Bashkuara. Nga institucionet që do të lëmë pas. Po të largohemi nga Iraku sot, apo 6 muaj më vonë, ky vend do të përfundonte në luftë civile.”

Por Qubad Talabani është më optimist për situatën. Ai thotë se që në vitin 1997 Partia Demokratike e Kurdistanit dhe Bashkimi Patriotik i Kurdistanit, zgjidhën në mënyrë paqësore disa mosmarrëveshje për ujin, për energjinë elektrike, bile edhe për naftën. Dy partitë e sipërpërmendura kurde, nuk janë të vetmet grupime politike, që rivalizojnë për pushtet në Irakun e nesërm. Dy parti të tjera janë Kongresi Kombëtar Irakian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe lëvizja Marrëveshja Kombëtare Irakiane. Por një burim shqetësimesh të mëdha për ekspertët rajonalë janë fraksionet e fuqishme shiite në jug të Irakut, në mënyrë të veçantë, Asambleja e Lartë për Revolucionin Islamik në Irak. Zoti Talabani thotë se shiitët, ndonëse të përçarë, po përgatiten të vihen në lëvizje për pushtet. Zoti Talabani po bën thirrje për një autoritet të përkohshëm në të cilin vetëm disa sektorë të pushtetit, ai i politikës së jashtme, i mbrojtjes kombëtare dhe i politikës ekonomike, do të jenë të centralizuar. Përndryshe ai parashikon një federatë shtetesh me qeverisje lokale, bazuar në ndarjen gjeografike dhe jo atë etnike. “Nuk ke se si të përcaktosh një federatë etnike, thotë ai, kur një milion kurdë jetojnë në Bagdat.” //az//

XS
SM
MD
LG