Lidhje

Fitorja në Irak shton besimin e  republikanëve për mundësitë e rizgjedhjes së Presidentit Bush - 2003-05-11


Fitorja ushtarake në Irak ka shtuar mbështetjen e publikut amerikan për Presidentin Bush dhe anketat tregojnë se mbi 70 përqind e miratojnë vijën politike që po ndjek ai, tregues shumë i lartë ky një vit para zgjedhjeve presidenciale. Por Presidenti e ka mirë parasysh se çfarë ndodhi me të atin. Pas luftës në Gjirin Persik në vitin 1991, rezultatet e anketave ishin shumë të larta në mbështetje të ish-Presidentit Bush, megjithatë ai i humbi zgjedhjet ndaj demokratit Bill Clinton, një vit më vonë për shkak të gjendjes jo të favorshme ekonomike të vendit. Edhe pse Presidenti Bush tani e ka përqendruar vemendjen tek përmirësimi i ekonomisë, ekipi që merret me përgatitjet për rizgjedhjen e tij, duhet të punojë intensivisht në muajt e ardhshëm për t’u vënë në dukje zgjedhësve meritat e presidentit për sa i përket sigurimit kombëtar. “Përdorimi i forcës ka qënë dhe mbetet alternativa jonë e fundit. Megjithatë, si miqtë ashtu edhe armiqtë tanë duhet ta dinë se vendi ynë ka një mision për të kryer. Ne do t’u përgjigjemi kërcënimeve ndaj sigurimit tonë dhe do të mbrojmë paqen”.

Imazhi i Presidentit Bush duke mbajtur fjalim në bordin e aeroplanmbajtëses, Abraham Lincoln, do të jetë tepër i vështirë për t’u sfiduar nga demokratët. Por asnjë nga 9 demokratët që po konkurojnë për kandidatë të partisë në zgjedhje nuk rezervohet ta sfidojë Presidentin Bush në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurimit kombëtar. Senatori Joseph Lieberman nga Connecticut-i është një nga demokratët më konservatorë ndër 9 kandidatët e partisë Demokrate. Ai mori pjesë, së bashku me kandidatët e tjerë, në një debat që u mbajt në Karolinën e Jugut kohët e fundit. “Partia jonë dhe populli amerikan kanë një zgjedhje të rëndësishme për të bërë brenda një viti e gjysmë apo dy, kur të shkojmë në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2004. Fakti është se ata nuk do të zgjedhin një person që dërgon mesazh tjetër veç forcimit të mbrojtjes dhe sigurimit kombëtar”. Një tjetër kandidat presidencial, i cili pasqyron ndarjen në partinë Demokrate lidhur me çështjen e Irakut, është guvernatori i Vermontit, Howard Dean. “Për mendimin tim kjo ishte një luftë e papërshtatëshme në një kohë të papërshtatëshme, sepse ne kemi ndjekur politikën e ndalimit të luftës në këtë vend”. Historiani për çështje të presidencës, profesori i Universitetit Amerikan, Allan Lichtman, parashikon se demokratët kanë një betejë të vështirë përpara. Një tjetër analist, Stuart Rothenberg, thotë se demokratët do të përpiqen me të gjitha forcat muajt e ardhshëm për ta përqendruar fushatën në rënien e ekonomisë amerikane, strategji që rezultoi me sukses kundër George Bushit (i ati) në fushatën presidenciale të vitit 1992. Por ekspertë të tjerë argumentojnë se gjërat kanë ndryshuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, që do të thotë se sigurimi kombëtar është tani po aq i rëndësishëm, në mos edhe më i rëndësishëm se siguria ekonomike. Profesori i shkencave politike të Universitetit të Virginias, Larry Sabato, thotë se zgjedhjet e vitit 2004 po marrin formën e garës presidenciale gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, kur çështjet e sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtme mbizotëronin më tepër se sa në vitet e fundit. Megjithëse zgjedhjet e vitit 2004 do të zhvillohen pas 18 muajsh, disa nga sfidat për Presidentit Bush dhe rivalët e tij demokratë janë të qarta. Presidenti duhet të bëjë diçka të ndjeshme për të stimuluar ekonominë. Ndërsa demokratët që duan ta zëvendësojnë atë, duhet ta bindin publikun se do të jenë mbrojtës të fortë të sigurimit kombëtar. //az//

XS
SM
MD
LG