Lidhje

Në Tiranë, parlamenti shtyn debatin për ligjin e pronave - 2003-05-12


Parlamenti shqiptar shtyu sërish të hënën diskutimet mbi ligjin e ri të pronave, për të cilin janë paraqitur dy projekt-ligje, nga qeveria dhe deputetët e opozitës. Specialistë të ligjeve në paralament po përpiqen edhe me ndihmën e OSBE të arrijnë mirëkuptim për këtë cështje që trajtohet ndryshe në dy projekt-ligje të ndryshme, ndonëse kanë shumë elementë të përbashkët. Debatet mes pozitës dhe opozitës hasin vështrësi në përfilljen e argumentave pro secilit variant.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet, Gramoz Ruçi, thotë se për problemin e pronave qeveria hartoi një projekt-ligj menjëherë pas takimit të presidentit Alfred Moisiu me partitë politike dhe maxhoranca, sipas tij, ka shprehur vullnetin e vet për një zgjidhje institucionale.

“Për ligjin e pronave, mesa duket, ata që janë bërë inicues, inspirues e propagandues të kësaj pune nuk janë të gatshëm politikisht në prag të fushatës elektorale për ta futur në axhendën e parlamentit. Qeveria e ka përmbushur misionin e vet. Ne - thotë zoti Ruci - jemi disponibël me përfaqësuesit tanë në konsultë periodike me përfaqësuesit e OSBE, që edhe ata kanë dhënë një kontribut të vyer për këtë çështje”. Zoti Ruci thotë se “dy projekt-ligjet mund të shqyrtohen edhe vec e vec, por çështja e pronave është një dhe ajo kërkon vetëm një zgjidhje”.

Ndërsa opozita shpreson që rekomandimet e OSBE të pasurojnë projekt-ligjin e qeverisë me elementë themelorë të projekt-ligjit të paraqitur nga qeveria. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të opozitës, Bamir Topi, kujton se në tryezën me Presidentin, kryeministri Nano premtoi që do të marrë në vlerësim vullnetin e të gjitha partive politike për pronat. “Opozita - thotë zoti Topi - kërkon që dy projekt-ligjet të integrohen për të arritur një ligj të pranuar nga të gjitha forcat politike”. “I është lënë komisionit të bujqësisë që të udhëheqë këtë proces. Besoj që po të shkohet me linjën e vullnetit të shprehur tek tryeza e Presidentit, ligji ka shanse të miratohet. Nëse do të vazhdohet gjithmonë që gjatë procesit të miratimit të projekt-ligjit ata të kthehen në pozicione tradicionalë politikë, - thotë zoti Topi - atëherë ky projekt-ligj rrezikon të mos miratohet”.

Presidenti Moisiu organizoi një takim me partitë politike parlamentare, ku përmes një deklarate të përbashkët shprehej vullneti dhe angazhimi për zgjidhjen e kësaj çështjeje; ndërsa qeveria ngarkohej të hartonte një projekt-ligj mbi kthimin e pronave të lira, kompensimin e pronave të zëna me prona të tjera ose me të holla. Zgjidhja e çështjes së pronave me një ligj të ri është një ndër katër kërkesat kryesore të Bashkimit Europian ndaj autoriteteve shqiptare me hapjen në fund të janarit të bisedimeve për marrëveshjen e stabilizim- asociimit.

XS
SM
MD
LG