Lidhje

Presidenti Bush vlerëson mbështetjen e Australisë në luftë kundër terrorizmit - 2003-05-12


Në takimin me kryeministrin e Australisë, John Howard, presidenti George Bush vlerësoi rolin e atyre që ndihmuan për rrëzimin e regjimit të Sadam Huseinit:

“Në Irak, forcat australiane dhe amerikane qëndruan përkrah njëra-tjetrës përsëri. Ne i dhamë fund sundimit të njërit prej tiranëve më të këqinj të historisë, dhe përmes kësaj, i bëmë popujt tanë më të sigurtë,” tha presidenti Bush.

Australia ka qenë një aleate kyçe në luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit. Forcat australiane dhe amerikane luftuan përkrah njëra-tjetrës në koalicionin që ndihmoi në përmbysjen nga pushteti të rregjimit ekstremist taleban në Afganistan dhe dëbimin nga ai vend të aleatit të tij, rrjetit al-Kaida. Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara dhe Australia kanë arsye për të bashkëpunuar:

“Ne jemi të vendosur për të mposhtur kërcënimin e terrorit pasi të dy vendet tona i kanë ndjerë pasojat e terrorit. Ne nuk e harrojmë keqardhjen e shprehur nga populli australian më 11 shtator të vitit 2001. Ne përjetuam të njëjtat ndjenja për popullin australian pas shpërthimeve të tmerrshme në Bali.... Ne nuk do të lodhemi në përpjekjet për të luftuar terrorizmin. Asgjë nuk do të na sprapsë,” tha presidenti Bush.

Kryeministri Howard tha se aleanca amerikano-australiane mbështetet edhe në faktorë të tjerë përveç nevojës për të përballuar një kërcënim të përbashkët:

“Australia dhe Amerika janë miq të ngushtë, pasi kanë vlera të ngjashme. Në fund të fundit, ajo që i lidh vendet e ndryshme më tepër se çdo gjë tjetër, është ngjashmëria e vlerave. Pikëpamja jonë për botën vë lirinë dhe të drejtat e individit në qendër të veprimtarive të të dy vendeve tona,” tha kryeministri Howard.

Shtetet e Bashkuara dhe Australia qëndrojnë përkrah njëra-tjetrës në mbrojtje të lirisë dhe, siç ka thënë presidenti Bush, “bëjnë që liria të jetë më e arritshme në botë.” //ad//

XS
SM
MD
LG