Lidhje

Luniku: Reforma ekonomike duhet të ecë përpara në Shqipëri - 2003-05-12


Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kristaq Luniku tha të hënën se institucioni që ai drejtonte dhe drejtuesit e saj kanë qenë të vetmit që kanë dashur hetimin dhe mbylljen e skemave piramidale. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Luniku tha se nëse ish-firmat piramidale kanë pasuri të depozituara në banka të huaja, ekzistojnë instrumenta për t’i gjetur dhe izoluar ato.

Zëri i Amerikës: Në debatet që po zhvillohen këto ditë në Tiranë është përmendur shpesh herë edhe emri juaj dhe letërkëmbimet me drejtuesit më të lartë të vendit. A ka ndonjë element të ri që ju mund t’i shtoni këtij debati?

Kristaq Luniku: Nuk ka ndonjë element të veçantë përveçse do të doja të theksoja se qendrimi i Bankës Qendrore për problemin e piramidave ka qenë shumë konsekuent, madje në studimet që janë bërë nga institucionet ndërkombëtare për problemin e piramidave në Shqipëri theksohet se qëndrimi i Bankës Qendrore ka qenë konsekuent, konform standardeve dhe rregullave ndërkombëtare dhe për me tepër do të thoja, Banka Qendrore dhe Guvernatori i saj që nga viti ’95 dhe deri kur këto institucione ndërkombëtare, ndërhynë për problemin e piramidave në shtator të vitit 1996, Banka Qendrore dhe drejtuesit e saj kanë qenë të vetmit, që kanë qenë për investigimin dhe mbylljen e këtyre skemave.

Zëri i Amerikës: Partia Demokratike mban përgjegjësi për lejimin e skemave dhe për këtë ajo pagoi një çmim të lartë: humbi zgjedhjet në vitin 1997. Socialistët përfituan nga trazirat që u shkaktuan nga rënia e skemave piramidale. Kur erdhën në pushtet ata premtuan transparencë, vendosjen e drejtësisë, madje Kryeministri Nano premtoi edhe kthimin e parave. Asnjë nga këto premtime nuk u përmbush. Si shpjegohet kjo?

Kristaq Luniku: Dy momente do të doja të theksoja këtu. Ka një element pozitiv në drejtim të qëndrimit që u mbajt me firmat piramidale pas mbylljes së tyre në vitin 1997 dhe qëndrimi i Partisë Socialiste në atë kohës, ose qeverisë në atë kohë ishte që nuk mori përsipër në mënyrë ligjore të gjitha detyrimet e këtyre skemave dhe kjo ishte me këmbënguljen edhe të organeve ndërkombëtare dhe të Bankës Qendrorore. Nëqoftëse kjo do të ishte bërë, do të ishin marrë të gjitha përsipër këto detyrime nga shteti në atë kohë, atëherë kjo do të krijonte të çara serioze për ekonominë shqiptare, ndoshta me efekte afatmesme dhe afatgjata. Ajo që nuk eci ashtu siç duhet, mesa shoh unë dhe është ajo që theksuat edhe ju, problemi i transparencës në kuptimin që sa u likuiduan këto asete, kush mori nga këto likuiditete e të tjera, proces që mbetet për t’u zhvilluar më tej dhe për t’u sqaruar më tej.

Zëri i Amerikës: Thuhet për shembull se në vitin ’97, qeveria kishte bllokuar afro 120 milionë dollarë në bankat shqiptare, po ashtu mendohet se këto kompani kishin pasuri me një vlerë prej disa miliona dollarësh. Tani në shtypin shqiptar flitet se aktualisht këto firma mund të kenë të depozituara afro 30 milionë dollarë në banka në vende të huaja.

Kristaq Luniku: Unë do të thoja se pas ngjarjeve të shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në gjithë komunitetin ndërkombëtar një vëmendje e veçantë i është kushtuar luftës kundër pastrimit të parave dhe aktivitetit dhe financimit të aktivitetit terrorist dhe të krimit të organizuar. Pra është bërë një përmirësim i jashtëzakonshëm i kuadrit ligjor dhe njëkohësisht i detyrimeve që kanë shtetet dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse që kanë nënshkruar këto marrëveshje për të gjetur fonde të tilla ose për të luftuar aktivitete të tjera. Kështuqë unë do të mendoj që qeveria shqiptare ka mbështetje të plotë dhe ekzistojnë instrumenta dhe rrugë për të gjetur dhe izoluar këto asete, nëqoftëse ato ekzistojnë.

Zëri i Amerikës: Zoti Luniku, sipas mendimit tuaj cili duhet të jetë objekt i hetimeve të tanishme në parlamentin shqiptar? A mund t’i shmangen shqiptarët politizimit të mëtejshëm të kësaj çështjeje që kjo çështje të mos shfrytëzohet për interesa politike?

Kristal Luniku: Një reagim i menjëhershëm do të jetë që Shqipëria po vjen në prag të zgjedhjeve dhe gjithmonë bëhet politizimi dhe ngjarja e piramidave është tepër sensitive për të treguar sesa politikanët, apo parti të caktuara janë të interesuara për fatet e popullit shqiptar dhe shtresa të caktuara dhe që në njëfarë mënyre tregon nga ana tjetër problemet e mëdha që ka Shqipëria në drejtim të varfërisë, ku të varfërit bëhen gjithnjë e më të varfër, ndërsa të pasurit bëhen çdo ditë e më të pasur dhe njëkohësisht zhvillimi i ekonomisë shqiptare që ka një axhendë tepër të ngjeshur. Kështuqë unë do të thoja se pavarësisht nga klasat politike duhet një vendosmëri e madhe për të ecur përpara me axhendën e reformës ekonomike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: A është përmirësuar legjislacioni në Shqipëri dhe a janë nxjerrë mësimet që duhen nxjerrë nga kriza e vitit 1997?

Kristaq Luniku: Kjo është me të vërtetë një pyetje interesante. Unë do të thoja që piramidat në Shqipëri treguan në radhë të parë natyrën e marrëdhënieve të luajalitetit, apo besimit ndërmjet qeverisë, politikës dhe qytetarëve shqiptarë. Gjithashtu ato treguan se çfarë konsekuencash negative, fenomene të tilla kanë në klimën e investimeve të huaja në Shqipëri. Gjithashtu ato treguan se të çara në kornizën ligjore dhe në zbatimin e ligjeve në Shqipëri, kërcënojnë zhvillimet ekonomike në Shqipëri, ku krijohen këto të çara për interesa të grupeve të caktuara, apo individëve në kurriz të gjithë Shqipërisë. Gjithashtu ajo tregon shkallën në të cilën proceset e ndërtimit të demokracisë karakterizohen nga transparenca dhe devotshmëria larg interesave vetiake të qeveritarëve të sotëm, apo të djeshëm. Në këtë kuadër do të thoja është jashtëzakonisht e rëndësishme ndjekja me konsekuencë, pavarësisht nga ngjyrat politike e zgjidhjes së gjithë problemeve që ka ekonomia shqiptare, qoftë në aspektin strukturor, qoftë në atë makroekonomik. //kk//

XS
SM
MD
LG