Lidhje

Ayatollah Mohamed Bakir al-Hakimit ndryshon qëndrim - 2003-05-13


Një udhëheqës i myslimanëve shi’itë në Irak thotë se Iraku duhet të drejtohet nga një qeveri demokratike që respekton Islamin, por që përfaqëson të gjitha grupet fetare dhe etnike të vendit.

Komentet e sotme të Ayatollah Mohammed Bakir al-Hakimit shënojnë një ndryshim nga thirrjet e tij të mëparshme për krijimin e një shteti islamik të stilit iranian. Gjatë një konference shtypi në Naxhaf, zoti al-Hakim theksoi se shumica e popullsisë irakiane i përket sektit shi’it. Mirëpo, ai shton se një qeveri islamike nuk është e përshtatshme për Irakun, i cili ka një numër të madh banorësh të sektit suni dhe kurdë.

Zoti al-Hakim u kthye në Irak javën e kaluar, pasi qendroi në mërgim për më shumë se 20 vjet. Ai udhëheq Këshillin Suprem të Revolucionit Islamik në Irak, një grup shi’it që kundërshtonte Sadam Huseinin. Ndërkohë, zyrtarë amerikanë thonë se Ministri irakian i Shëndetësisë, Ali Shinan, dha dorëheqjen pasi nuk pranoi të dënonte hapur Partinë Bath.

Zyra Amerikane për Rindërtim dhe Ndihmë Humanitare në Irak njoftoi se Dr. Shinani pranoi kërkesën amerikane që të jepte dorëheqjen. Zyra tha se zoti Shinani do të punojë në një nga spitalet e Bagdadit. Zoti Shinani u emërua para 10 ditësh në postin e Ministrit të Shëndetësisë, por qindra mjekë irakianë u hodhën javën e kaluar në protesta kundër emrimit të tij.

XS
SM
MD
LG