Lidhje

Lufta në Irak dhe marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës - 2003-05-13


Presidenti George Bush ka thënë se udhëheqësi rus Vladimir Putin është një person, me të cilin ai mund të punojë. Por, përsa i përket Irakut, zoti Putin ka qenë shpesh kundër politikës amerikane. Aktualisht, udhëheqësi rus po kundërshton thirrjen e Uashingtonit dhe të Londrës për heqjen e sanksioneve ndaj Irakut. Por çfarë fshihet pas qëndrimit të udhëheqësit rus ndaj marrëdhënieve amerikano ruse në të ardhmen. Në një konferencë shtypi që mbajti nga fundi i prillit së bashku me kryeministrin britanik Tony Blair, presidenti rus e vuri udhëheqësin britanik në pozitë të vështirë, duke e distancuar veten nga Londra dhe Uashingtoni lidhur me thirrjen për heqjen e sanksioneve dhe duke këmbëngulur se arsyeja kryesore për luftën në Irak, çështja e programeve të armëve biologjike, kimike dhe bërthamore të Bagdadit, nuk është zgjidhur. “Sanksionet ndaj Irakut, u vendosën si pasojë e dyshimeve se Bagdadi kishte armë të shkatërrimit në masë. Sanksionet mund të hiqen vetëm pasi të zhduken këto dyshime”, tha presidenti rus.

Pozita e zotit Putin kundër heqjes së sanksioneve është kundërshtimi i tij i fundit ndaj politikës amerikane në Irak. Krahas Francës dhe Gjermanisë, Rusia e kundërshtoi vendimin e administratës amerikane për të sulmuar Irakun dhe vazhdimisht ka kërkuar një rol më të madh të OKB-së në Irakun e pas luftës.

Por, marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë tensionuar edhe për shkak të divergjencave rreth çështjeve të tjera të rëndësishme, në mënyrë të veçantë, ndihma ruse për programin bërthamor të Iranit.

Në të njëjtën kohë, ndërsa ndjek një kurs të pavarur, presidenti Putin thotë se bashkëpunimi me Amerikën është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të Rusisë. Mirëpo analistë në Uashington thonë se udhëheqësi rus nuk mund të shpresojë të ndjekë dy rrugë, të kundërshtojë politikën e Uashingtonit dhe të përfitojë nga ndihma amerikane. Rusia nuk mund të jetë njëherësh vend mik dhe armik i Shteteve të Bashkuara.

Disa analistë thonë se Moska vazhdon të vuajë nga humbja e statusit të saj si superfuqi. Sipas tyre, Moska po krijon aleanca të përkohshme me një numër vendesh për t’iu kundërvënë Shteteve të Bashkuara. Kështuqë, Rusia ka vendosur të hyjë në aleancë me Kinën, e cila gjithashtu shqetësohet nga fakti se Amerika është superfuqia e vetme e botës. Moska po e hedh vështrimin edhe në drejtim të vendeve mike të ish regjimit sovjetik, si Irani, Siria dhe kohët e funit, Iraku i Sadam Huseinit. Në rastin e luftës me Irakun, disa analistë thonë se Rusia gjeti interesa të përbashkëta me Francën e Gjermaninë, në përpjekje për të frenuar fuqinë ushtarake amerikane.

Por, vëzhgues të tjerë thonë se ideja se Rusia ka hyrë në aleanca kundër Shteteve të bashkuara nuk ka baza të forta. Ata vënë në dukje se zoti Putin e ka pranuar statusin aktual të Rusisë dhe e kupton se atij i nevojitet ndihma amerikane për rimëkëmbjen e vendit të tij. Ata thonë gjithashtu se Uashingtoni dhe Moska kanë shumë interesa të përbashkëta, përfshirë luftën kundër terrorizmit.

Amerika mund të luajë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e Rusisë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregëtisë dhe ajo mund të jetë një konsumatore e madhe e naftës ruse në të ardhmen.

Drejtori i Qendrës për Studime ruse pranë Institutit amerikan Enterprise, Leon Aron, thotë se presidenti Putin e kupton se shpresat e Rusisë për rimëkëmbje afatgjatë varen nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. “Vladimir Putini dhe rrethi i tij i ngushtë e kuptojnë se mënyra e vetme për të luajtur një rol pozitiv dhe të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, është duke formuar një lloj aleance me Shtetet e Bashkuara. Evropa nuk është aq e fuqishme për ta ndihmuar Rusinë, prandaj vetëm një partneritet me Amerikën do ta ndihmojë atë të bëhet përsëri fuqi e madhe”, thotë zoti Aron.

Atëherë, përse presidenti Putin e kundërshton politikën amerikane në vende të tilla si Iraku?

Disa analistë thonë se ai po luan një politikë të urtë. Opinioni publik në Rusi ishte kundër ndërhyrjes ushtarake në Irak dhe me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në muajin dhjetor, partisë Rusia e Bashkuar të zotit Putin i nevojiten votat për të mundur Partinë Komuniste. Atij i nevojitet mbështetja në parlament për të vazhduar programin e tij ambicioz të reformave.

Nga ana tjetër, edhe Amerika ka nevojë për Rusinë. Ndërkohë që Rusia ndodhet në një pozitë inferiore ekonomike dhe ushtarake, pozita e saj gjeografike midis Evropës dhe Azisë dhe në veri të pikave të tilla të nxehta të globit, si Azija Jugore dhe Lindja së Mesme, nuk mund të mos merret parasysh nga hartuesit e politikës amerikane.

Pas fillimit të luftës kundër terrorizmit dhe përmbysjes së Sadam Huseinti, në bllokun e vendeve perëndimore doli në pah një e çarë. Nëse hendeku zgjerohet, disa analistë thonë se suksesi i Vladimir Putinit në përpjekjet për reformimin e Rusisë do të varej nga qëndrimi i tij ndërmjet dy kampeve të botës perëndimore.

XS
SM
MD
LG