Lidhje

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u kërkon komisioneve hetimore të parlamentit respektimin e parimeve të Kushtetutës - 2003-05-14


Gjykata Kushtetuese nxorri të mërkurën një vendim interpretues në përgjigje të kërkesës së deputetëve socialistë, lidhur me shqetësimet për ngritjen e komisionit hetimor për ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës. Nga vendimi, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, theksoi se komisionet hetimore veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit. Ai theksoi se komisionet hetimore nuk duhet të cënojnë pavarësinë e pushteteve të tjera.

“Objekti dhe fusha e veprimit të komisioneve hetimore duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, duke mos cënuar pavarësinë dhe as të pengojë veprimtarinë e organeve të pushteteve të tjera” - tha zoti Abdiu.

Gjykata Kushtetuese interpretoi rëndësinë e zbatimit të parimeve për ndarjen e pushteteve, prezumimi i pafajësisë, respektimi i të drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe ruajtjes së jetës private të individëve.

Deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho, tha se vendimi i Gjykatës ka një rëndësi të madhe. Sipas tij, komisioni hetimor “Olldashi” duhet të pushojë pas këtij vendimi, i cili nxjerr në pah nevojën për ndryshime të ligjit.

“Komisioni i ligjeve, deputetë që u angazhuan në paraqitjen e kësaj kërkese për interpretim do të paraqesin amendamente për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore për ta përsosur atë më tej” - tha zoti Braho.

Në të njëjtën kohë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në zyra pranë saj komisioni hetimor për veprimtarinë e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës vazhdonte mbledhjen e rradhës. Kryetari i komisionit hetimor, Sokol Olldashi, tha se po vazhdon puna me shqyrtimin e dhjetëra dosjeve, dhe së shpejti do të thirren për të dëshmuar kryeministri Fatos Nano dhe një seri zyrtarësh të këtyre institucioneve.

“Deri tani është bërë një punë jashtëzakonisht korrekte, të paktën nga anëtarët që përfaqësojnë opozitën në këtë komision. Kemi konstatuar shpërdorime barbare të fondeve publike, vjedhje në përmasa të paimagjinueshme” - tha zoti Olldashi. Ai tha se nuk mund të jepte një koment për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi nuk ishte njohur ende me të.

Në valën e debateve të ashpra, parlamenti vendosi të ngrejë një komision hetimor për veprimtarinë e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës me këmbënguljen e opozitës, pas dyshimeve për korrupsion të zotit Edi Rama në krye të këtyre institucioneve. //ss//

XS
SM
MD
LG