Lidhje

Ish-të dënuarit politikë përleshen me policinë, në protesta për kërkesa ekonomike - 2003-05-15


Ish- të përndjekur politikë të diktaturës komuniste u përplasën të enjten me policinë para kryeministrisë gjatë një tubimi proteste, në qendër të të cilit janë kërkesa ekonomike. Protestuesit pohuan se pas konfliktit me forcat e rendit të paktën 15 pjesëmarrës të tubimit u morën nga policia.

Besim Ndregjoni, një nga organizatorët e protestave, thotë se ish-të përndjekurit politikë të diktaturës janë shpallur të pafajshëm nga gjykatat dhe kërkesa e tyre për dëmshpërblim financiar për burgun dhe punën e detyruar është mëse e ligjshme.

“Ne kemi vuajtur dy dënime: dënimin politik si kundërshtarë të regjimit komunist dhe punën e papaguar. Ne kemi nxjerrë nga minierat mijëra tonaleta krom e bakër, kemi ndërtuar mijëra vepra në Shqipëri nën dhunën më ekstreme që mund t’i bëhet njeriut”, tha zoti Ndregjoni.

Protestat e ish-të përndjekurve politikë u mbështetën edhe nga Partia Demokratike e opozitës. Sekretari i marrëdhënieve publike të kësaj partie, Spartak Ngjela, tha në një konferencë shtypi se PD njeh dhe pranon kërkesat ekonomike të tyre, si një e drejtë morale e atyre njerëzve që kundërshtuan diktaturën komuniste.

“Çështja e ish-të përndjekurve politikë është një cështje mbarëshoqërore, e natyrisht edhe e PD-së. I përkrahim pa rezerva në të gjitha përpjekjet e tyre të ligjshme, demokratike që bëjnë drejt shpërblimit të vuajtjeve të tyre nëpër kalvarin e madh diktatorial të regjimit të përmbysur” - tha zoti Ngjela.

Sipas llogaritjeve të ish-të përndjekurve, janë afro 21 mijë të burgosur dhe familjarë të të pushkatuarve që kërkojnë të dëmshpërblehen në një shumë që shkon sa pagat e deputetëve në 4 vjet.

Por, sipas qeverisë, shumat shkojnë sa buxheti i shëndetësisë për 10 vjet. Përfaqësues të qeverisë pohuan se shifrat janë të papërballueshme për buxhetin e varfër shtetëror. Sipas ministrit të shtetit, Blendi Klosi, qeveria ka ngritur një grup pune që po studjon detaje teknike, si dhe mbështetjen e kësaj shtrese me strehim, rishikim të pensioneve të tyre dhe përdorim të letrave me vlerë për privatizim.//kk//

XS
SM
MD
LG