Lidhje

OKB-ja diskuton rreth projektrezolutës për heqjen e sanksioneve ndaj Irakut - 2003-05-15


Pritet që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të fillojë diskutimet rreth një projektrezolute të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Irakut.

Projektrezoluta parashikon heqjen e të gjitha sanksioneve të vendosura kur Iraku pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, me përjashtim të embargos së armëve. Ajo parashikon gjithashtu që të ardhurat nga nafta irakiane, tani nën kontrollin e OKB-së, të depozitohen në Fondin Irakian të Ndihmave që do të administrohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania në bashkëpunim me një qeveri të përkohshme irakiane.

Rusia, një nga pesë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit me të drejtën e vetos, thotë se para se të hiqen sanksionet, inspektorët e OKB-së për armët duhet të verifikojnë se Iraku nuk zotëron armë të shkatërrimit në masë.

Sekretari Pauëll tha të enjten në Bullgari se Uashingtoni është i gatshëm të shqyrtojë mundësinë e pezullimit të sanksioneve, megjithëse Shtetet e Bashkuara kërkojnë që ato të hiqen plotësisht. Zoti Pauëll diskutoi në Moskë rreth kësaj çështjeje me presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e jashtëm Igor Ivanov.

Më pas, ai u tha gazetarëve se mosmarrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusia rreth kësaj çështjeje ende nuk janë sheshuar, por Uashingtoni dhe Moska do ti vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e tyre.

Franca dhe vendet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit kërkojnë sqarimin e rolit që projektrezoluta parashikon për një të dërguar të posaçëm të OKB-së për Irakun.//xh//

XS
SM
MD
LG