Lidhje

Majko: Shqipëria, një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara - 2003-05-15


Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pandeli Majko, i cili i dha fund një vizite në Uashington, i tha Zërit të Amerikës të enjten se Shqipëria është shprehur hapur që në territorin e saj të pranojë një bazë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në rast se kjo do t’i kërkohet. Ai tha se për këtë qëllim, qeveria e tij po përpiqet të krijojë një mbështetje të fortë në Kongresin amerikan. Zoti Majko u takua të mërkurën në Pentagon edhe me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld.

Zëri i Amerikës: Sot është dita e fundit e vizitës suaj disaditore, këtu në Washington, pika kulmore e së cilës ishte takimi me Sekretarin e Mbrojtjes, Rumsfeld. A mund të na jepni disa hollësi lidhur me takimin me zotin Rumsfeld dhe me zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane dhe me anëtarë të Kongresit amerikan?

Pandeli Majko: Mendoj që vizita mund të konsiderohet si nga më të veçantat të paktën në karrierën time dhe në komunikimet që kam patur me institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kjo si pasojë edhe e angazhimit të shtetit shqiptar, qeverisë shqiptare, në momentet që ndodhën pas 11 shtatorit, sidomos me pjesëmarrjen e trupave tona në Afganistan dhe së fundi në Irak. Kjo e fundit sidomos ka patur një impakt të jashtëzakonshëm, i cili u reflektua edhe në takimin bilateral që patëm për dy ditë në Pentagon. Nga disa pikëpamje ajo që më pëlqeu më tepër është se reforma për ushtrinë mund të konsiderohet nga reformat më të avancuara, kjo ishte të paktën shprehja e specialistëve dhe ekspertëve që kishin ardhur nga disa institucione, në takime që patën me delegacionin shqiptar i cili nuk ishte vetëm me përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, por edhe nga disa institucione të tjera siç ishte ajo e Ministrisë së Rendit. Takimi me Sekretarin e Mbrojtjes ishte do të thosha më shumë se politik, në radhë të parë familjar dhe diskutimet kanë qenë të një natyre do të thosha mjaft konfidenciale, mjaft miqësore. Vihej re pikërisht ndryshimi që në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, ka patur cilësitë e momenteve deçizive siç ishte ai i Afganistanit dhe Irakut, vlerësimi për përkrahjen e Shqipërisë dhe vendosmëria që këto marrëdhënie të zhvillohen në cilësi të reja.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ku e sheh veten Shqipëria në kuadër të strategjisë së re globale amerikane? Për çfarë u ra dakord në bisedimet që zhvilluat me palën amerikane?

Pandeli Majko: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu si edhe më parë kanë qenë një le të themi edukatore, por edhe survejuese shumë e zonja në marrëdhëniet ushtarake midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi reforma për sigurinë kombëtare u shërben edhe disa momenteve të tjera që kanë të bëjnë me reformën në fushën e antikorrupsionit, momente të tjera të reformës së mbrojtjes së kufirit, për antitrafiqet e kështu me radhë. Pikërisht këtu u nënvizua fakti i ecurisë së disa momenteve shumë specifike, siç është kalimi i ligjit “Për rojën bregdetare”, konferenca për ruajtjen e kufirit do të jetë shumë shpejt në Maqedoni dhe momente të tjera të cilat janë më të zhvilluara nga pikëpamja politike, në firmosjen e Marrëveshjes së Adriatikut në Tiranë nga Sekretari Powell dhe tre ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë. Jemi mendoj në një moment shumë cilësor, shumë pozitiv dhe siç e kam thënë edhe më parë, marrëdhëniet aktuale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë mund të konsiderohen nga më pozitivet në historinë e këtyre marrëdhënieve. Mund të flas hapur edhe për publikun shqiptar, që tanimë në Kongresin amerikan, në Senatin amerikan po përpiqemi të krijojmë një lobing të fortë, me qëllim që nëqoftëse do të ketë një menaxhim të ri të bazave ushtarake amerikane në Evropë, një lloj vendosjeje të re të bazave, Shqipëria është shprehur qartazi, për këtë janë shprehur edhe institucionet e shtetit shqiptar, Presidenti, Kryeministri, që Shqipëria ngelet e hapur vetëm (kështu u gjykua, kështu u diskutua) le të vendosin gishtin dhe aty do të jetë baza e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Cili ishte reagimi i palës amerikane për këtë sugjerim?

Pandeli Majko: Unë sapo u ktheva nga një takim me Tom DeLay, kryetar i maxhorancës në Kongresin amerikan dhe mendoj që ne jemi në pritje të një përgjigjeje, por atmosfera ka qenë nga më pozitivet. Nuk dua të bëj rolin e atij që dua të mbaj diçka konfidenciale, apo një lloj sekreti, për të dalë deri diku më interesant, por mendoj që atmosfera ka qenë e jashtëzakonshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, gjatë viteve të fundit, siguria ndërkombëtare në përgjithësi dhe siguria në Ballkan në veçanti kanë ndryshuar në mënyrë të dukshme. Si i është përshtatur strategjia juaj kombëtare ushtarake, kësaj sfide të re, këtyre ndryshimeve të reja dhe cilat janë burimet e kërcënimeve për sigurinë kombëtare shqiptare sot?

Pandeli Majko: Mendoj që sidomos pas vitit ’99, pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s në Kosovë, siguria kombëtare e Shqipërisë ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Aktualisht, Shqipëria dhe shqiptarët nga një faktor inegzistent, duhet ta pranojmë këtë me zë të lartë, ose me zë të ulët, mendoj që kemi një faktorizim të shqiptarëve në rajon. Kjo ka pasur të bëjë edhe me lidhjet rishtazi të politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Nuk besoj se jemi duke bërë ndonjë lloj reklame pse unë jam sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo është e vërteta dhe rëndësia e faktorit shqiptar tani po ndihet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni, në statusin më specifik të shqiptarëve në Mal të Zi e kështu me radhë. Siguria e Shqipërisë dhe shqiptarëve mendoj që mund të konsiderohet nga më e mira, që pas vitit 1912. Aktualisht në marrëdhëniet fqinjësore që ne kemi me Malin e Zi, me Kosovën, me Maqedoninë, me Greqinë, si edhe me fqinjin tonë strategjik Italinë, mund të konsiderohet nga më pozitivet dhe nëse mund të flitet për reformën e strukturave të sigurisë kombëtare, kjo ishte momenti më i veçantë që u vlerësua nga pala amerikane në diskutimet bilaterale në Pentagon: pikërisht marrëdhëniet shumë të mira miqësore, të cilat krijojnë një background shumë pozitiv edhe për lobingun që fola pak më parë në Kongres dhe në Senat, që shpejt Shqipëria të shikojë një mënyrë të re të paraqitjes së marrëdhënieve shqiptaro amerikane.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju thoni se Shqipëria dhe shqiptarët janë faktor qëndrueshmërie, ose prodhues qëndrueshmërie në Ballkan, mirëpo siç e dini edhe ju vetë, ka disa analistë që thonë se çështja e pazgjidhur kombëtare shqiptare, aspiratat e shqiptarëve për bashkim kombëtar, paraqesin rrezikun më të madh për qëndrueshmërinë dhe sigurinë në Ballkan. A ekziston një rrezik i tillë?

Pandeli Majko: Jo se jam shqiptar, por mendoj se një rrezik i tillë nuk ekziston. Ne jemi një komb që asnjëherë nuk kemi sulmuar të tjerët në historinë tonë, veç jemi sulmuar. Jo për të bërë rolin e viktimës, por kjo është e vërteta. Nga ana tjetër mendoj që (ajo që thashë edhe pak më parë) pas vitit ’99 kemi një cilësi të re në rajon, e cila ka të bëjë me statusin e Kosovës. Pavarësisht se statusi i Kosovës aktualisht është pak ambig, është në diskutim, sigurisht ka të bëjë edhe me rezolutën 1244, mendoj se është e qartë që pavarësia e Kosovës nuk është një mundësi, për mendimin tim pavarësia e Kosovës, është e vetmja zgjidhje, për të patur një strukturë stabile dhe paqësore në rajon. Nga kjo pikëpamje mendoj që politikanët shqiptarë po përpiqen të jenë të kujdesshëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, pikërisht që momentet e nervozizmit, që kërkojnë të krijojnë disa lobe edhe në Ballkan, të mos keqinterpretohen pastaj nga struktura të tjera dhe mendoj që këtu shqiptarët do të kenë mirëkuptim, kanë mirëkuptim të plotë në radhë të parë të politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë takimeve që kemi patur me kongresmenë, me senatorë, me shaka kam diskutuar problemin e statusit të Kosovës. Diskutohet që Kosova të arrijë disa standarde, pastaj të diskutojë statusin e vet. Sigurisht, ky është një moment shumë i rëndësishëm, arritja e standardeve, por nuk duhet tepruar, sepse të mos vihemi në rolin e një shakaje që i kërkohet një çifti që të bëjë kalamaj përpara, pastaj të martohet. Kështuqë mendoj që Kosova është në një rrugë të mbarë, pavarësisht nga disa nervozizma që janë shprehur nga struktura të ndryshme të komunitetit ndërkombëtar. Mendoj që kjo më të tepër ka të bëjë për të krijuar një balancë psikologjike me serbët, të cilët me këtë rast mendoj unë, paraqesin palën më të nervozuar. Kam parasysh deklaratat e Çoviçit për gjoja ndërhyrjen e ushtrisë serbe në Kosovë, apo elementë të natyrave të tilla, të cilat mendoj se nuk mund të mohojnë faktin që për herë të parë për ne shqiptarët, koha punon në sensin pozitiv. Ky është fakt.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, problemi i ekzistencës së grupeve ekstreme: flitet për të ashtuquajturën Armata Kombëtare Shqiptare. A ekziston një armatë e tillë? A ka ajo mbështetje në disa elemente të forcave të armatosura të Shqipërisë?

Pandeli Majko: Komenti im do të jetë i shkurtër. Armata Kombëtare Shqiptare ka marrë përsipër, nëpërmjet internetit edhe vrasjen e kryeministrit të Serbisë, Gjingjiç, gjë që nuk është e vërtetë sipas informacioneve tona, por njëkohësisht e bën shumë të dyshimtë këtë strukturë. Ky është komenti im. Karshi faktit nëse ka përfshirje të forcave tona të armatosura, përgjigjia është e prerë: jo!

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju kur keni qenë kryeministër një nga çështjet më të rëndësishme në programin e qeverisë suaj ka qenë shtimi i bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë, ndërtimi i rrugës Durres-Kukes. Si i shikoni ju tani këto zhvillime dhe pse po merr aq shumë kohë që të fillojë ndërtimi i kësaj rruge? A mund ta ndërtojnë këtë rrugë shqiptarët, nëse nuk kanë mbështetjen e nevojshme nga bashkësia ndërkombëtare?

Pandeli Majko: Mendoj që kjo rrugë është momenti më i rëndësishëm do të thosha ekonomik dhe historik. Nëse ne duam të kemi një moment të historisë së turizmit në Shqipëri, kjo rrugë e realizon këtë; nëse duam të faktorizojmë ekonomikisht shqiptarët në rajon, kjo rrugë e realizon këtë. Sigurisht që mesa kam informacion ka një veprim të strukturave përkatëse të qeverisë për ta nisur sa më shpejt këtë rrugë, por s’mund të nënvleftësohet fakti që jemi edhe pak vonë. Sigurisht ju e dini, kur një komb merr një drejtim të caktuar, politikanët përbëjnë thjesht atë që quhet kosto. Një politikan i mirë do të thotë më pak kosto, një politikan i keq do të thotë më shumë kosto, por kjo nuk do të thotë se nuk do të realizohet ajo që ka nisur.//kk//

XS
SM
MD
LG