Lidhje

Bisedë telefonike Bush-Putin - 2003-05-16


Udhëheqësi rus, Vladimir Putin dhe Presidenti Bush janë zotuar të forcojnë partneritetin e tyre strategjik, megjithë mosmarrëveshjet e vazhdueshme rreth Irakut.

Kremlini njofton se gjatë një bisede telefonike, dy udhëheqësit theksuan nevojën për shtimin e përpjekjeve të përbashkëta anti-terroriste dhe ranë dakord të zgjerojnë bashkëpunimin në luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit. Shtëpia e Bardhë konfirmoi se biseda telefonike ishte zhvilluar, por nuk dha hollësi të tjera.

Biseda telefonike zhvillohet në prag të takimit të nivelit të lartë midis dy udhëheqësve në Shën Peterburg, që është planifikuar të fillojë në fund të majit. Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës u tensionuan për shkak të luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, të cilën Rusia e kundërshtoi me forcë.

Franca proteston

Franca thotë se po kërkon sqarime nga Shtetet e Bashkuara rreth pohimeve se zyrtarë amerikanë po nxisin njoftime antifranceze në mjetet amerikane të informimit.

Ministri i Jashtëm francez, Domenik dë Vilpë, i tha të premten Radio Francës se shumë njoftime rreth Francës janë të pabaza dhe në fakt të pavërteta.

Në një letër që u dërgoi të enjten anëtarëve të Kongresit amerikan dhe administratës së Presidentit Bush, ambasadori francez në Uashington e quan të papranueshme atë që ai e cilëson si “fushatë keqinformimi” që ka për qëllim të njollosë imazhin e Francës dhe të mashtrojë publikun. Mes këtyre njoftimeve janë pohimet rreth shitjes së armëve franceze Irakut. Shtëpia e Bardhë i hedh poshtë akuzat franceze.

XS
SM
MD
LG