Lidhje

Shala: Marrëdhëniet mes UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës në pikën më të ulët - 2003-05-16


Në Kosovë, marrëdhëniet midis UNMIK-ut dhe përfaqësuesve të shqiptarëve ndodhen në një nga pikat e tyre më të ulëta. Të enjten, shefi i UNMIK-ut Mihail Shtajner pezulloi veprimtaritë jashtë vendit të institucioneve të Kosovës, pas miratimit të një rezolute të Kuvendit për njohjen e vlerave të luftës. Zoti Shtajner ka thënë se një rezolutë e tillë e përçan kuvendin dhe dëmton marrëdhëniet ndëretnike. Për këto çështje foli botuesi i së përditshmes Zëri në Kosovë, Blerim Shala, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, administratori Shtajner tha sot se vendimi i tij nuk do t’i dëmtojë marrëdhëniet e UNMIK-ut me institucionet vendore. Në të vërtetë duket se marrëdhëniet kanë shënuar një nivel të ri të ulët. Cili është mendimi juaj?

Blerim Shala: Po, është e vërtetë që aktualisht marrëdhëniet ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, janë në pikën më të ulët, që prej vendosjes së administratës ndërkombëtare në qershor të vitit 1999. Sidoqoftë mendoj që gjërat që kanë ndodhur kanë ndodhur, ne nuk mund të kthehemi mbrapa dhe duhet të fokusohemi në ripërtëritjen e marrëdhënieve midis pushtetit kosovar dhe UNMIK-ut. Ndalesa e pjesëmarrjes së autoriteteve vendore në takimet ndërkombëtare është afatshkurtër. Do të thoja se asgjë e re nuk ka ndodhur, sepse në të vërtetë në një kohë të gjatë, autoritetet vendore nuk kanë mundur të marrin pjesë në takime të rëndësishme në botën e jashtme, por mendoj që pikërisht kjo që ndodhi në dy ditët e kaluara mund të ndikojë që ne dhe ndërkombëtarët të përqendrohemi në samitin e Unionit Evropian në Selanik që do të mbahet në qershor, i cili ka një peshë të jashtëzakonshme për arsye se do të mundohet të krijojë një proces frytdhënës, të inkuadrimit të krej rajonit në Unionin Evropian, prandaj mendoj që ne dhe Shtajneri duhet të përqendrohemi në përgatitjen e Kosovës, që ajo të prezantohet sa më mirë të jetë e mundur në këtë samit domethënës.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, a ishte rezoluta e kuvendit dokumenti i duhur në momentin e duhur?

Blerim Shala:Siç thashë më parë, mendoj që gjërat kur ndodhin është pak humbje kohe të merremi me to. Ky proces siç e dimë ka filluar në fillim të këtij viti. Mendoj që politika e Kosovës këtë vit ka qenë jashtëzakonisht e ngarkuar me reagime ndaj politikës destruktive të Beogradit, e cila shënon një rritje gjatë këtij viti, duke filluar që nga iniciativat e njohura të kryeministrit të ndjerë, zotit Xhinxhiç, prandaj ky proces është dashur të përfundohet disi. Mendoj që vlerësimi i periudhës së luftës, rezistencës sonë paqësore ka qenë në një mënyrë në kontinuitet në krejt politikën kosovare të viteve të fundit. Po ashtu e dimë që gjatë luftës, ne arritëm të bëjmë për vete perëndimin bashkësinë ndërkombëtare, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe falë këtij bashkëdyzimi ne arritëm të çlirohemi. Por reagimi i UNMIK-ut dhe zotit Shtajner, përveçse tregon një domosdoshmëri sipas vetë Shtajnerit të kundërpërgjigjes ndaj një medimi të tillë të Kuvendit, është në të vërtet një kontinuitet i mosmarrëveshjeve, i cili predominon fatkeqësisht marrëdhëniet midis UNMIK-ut dhe kosovarëve që nga fillimi i këtij viti.

Zëri i Amerikës: Çfarë efekti mund të ketë mosmarrëveshja e re në procesin e kalimit të përgjegjësive drejt institucioneve të Kosovës?

Blerim Shala: Më duket që kjo është e pashmangshme. Ekziston një pajtueshmëri e plotë midis vendorëve, UNMIK-ut, por edhe qeverive kryesore perëndimore, që deri në fund të këtij viti, të gjitha kompetencat, jashtë atyre të rezervuara duhet të mbarten tek vendorët. Ky proces është i pakthyeshëm dhe mendoj që nuk ka asfarë justifikimi që të vonohet, të shtyhet, të problematizohet. Prandaj këtu së paku nuk shoh ndonjë problem. Ndoshta do të ketë siç thashë më parë mosmarrëveshje përsa i përket prezantimit ndërkombëtar të Kosovës në Selanik, apo diku tjetër, por masat e djeshme për bindjen time, në një mënyrë dëmtojnë edhe vetë synimet e UNMIK-ut që Kosova të stabilizohet, por edhe që rajoni të jetë shumë më stabil, për arsye se UNMIK-u dhe perëndimi nuk kanë partner tjetër, përpos autoriteteve vendore të Kosovës, në sendërtimin e këtyre qëllimeve. Nëse në një takim aq të rëndësishëm të Ohrit i cili do të mbahet në maj, pra, ku do të shqyrtohet stabiliteti i rajonit, nuk do të marrin pjesë edhe autoritetet vendore të Kosovës, mendoj që kjo e dëmton jo vetëm Kosovën, por e dëmton edhe UNMIK-un, edhe Perëndimin, sepse ndryshe nuk bëhet, por që së bashku me politikanët kryesorë shqiptarë, të arrihet qëllimi i përbashkët: stabilizimi afatgjatë i rajonit.

Zëri i Amerikës: Disa janë shprehur se vendimi i zotit Shtajner është marrë edhe nën ndikimin e Beogradit. Cili është komenti juaj?

Blerim Shala: Është e vërtetë që javëve të fundit ekziston një fushatë, e ashpër, e vrazhdë, e pamëshirshme ndaj zotit Shtajner nga ana e autoriteteve të Beogradit, por nuk besoj që kësaj here zoti Shtajner ka reaguar nën ndikimin e regjimit serb. Sidoqoftë zoti Shtajner ka marrë zotime shumë të qarta për disa çështje që janë shumë të ndjeshme dhe ne nuk po shohim përparim sinjifikativ, sidomos në veri në Mitrovicë dhe në luftimin e krimit të organizuar. Por mendoj që në javët e ardhshme, edhe autoritetet vendore duhet ta shtojnë presionin ndaj UNMIK-ut që të sendërtojë ato qëllime.//kk//

XS
SM
MD
LG