Lidhje

Pauëll: bisedimet e Berlinit të dretpërdrejta dhe të sinqerta - 2003-05-16


Kancelori gjerman, Gerhard Shrëder, thotë se sanksionet kundër Irakut duhet të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur. Zoti Shrëder tha në Berlin, pas bisedimeve me Sekretarin amerikan të Shtetit, Kolin Pauëll, se vazhdimi i sanksioneve nuk ka kuptim pas përmbysjes së qeverisë së Sadam Huseinit.

Sekretari Pauëll tha se ishte i kënaqur me vendosmërinë e kancelorit gjerman për heqjen e sanksioneve dhe për fillimin e ekpsortimit të naftës, masa këto që do ti sillnin përfitime popullit irakian. Sekrertari Pauëll i cilësoi bisedimet me Kancelarin Shrëder dhe Ministrin e Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, si të drejtpërdrejta dhe të sinqerta.

Ai tha se në bisedime u prekën mosmarrëveshjet rreth luftës në Irak, të cilën Gjermania e kundërshtoi me forcë, si edhe fushat e bashkëpinimit, si çështjet e sigurisë në Afganistan dhe përpjekjet kundër terrorizmit. Zoti Pauëll ndodhet në Gjermani me misionin për të përmirësuar marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Berlinit.

Kancelari Shrëder la të kuptohet se marrëdhëniet ndërmjet Berlinit dhe Uashingtonit po zbuten, kur tha se sanksionet janë të pakuptimta, pas rrëzimit të qeverisë së Sadam Husenit.

Ne mendojmë se sanksionet kundër Irakut, të cilat hynë në fuqi para disa kohësh, tani nuk kanë më kuptim dhe duhet të hiqen sa më parë. Të dy ne mendojmë se vendet tona duhet të punojnë së bashku në kuadër të Kombeve të Bashkuara për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët, tha kancelari gjerman.

Sekretari Pauëll ishte në Gjermani në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet.

Folëm mbi mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe seriozitetin e këtyre mosmarrëveshjeve, por folëm gjithashtu edhe për ato që na bashkojmë: ne kemi qenë vende mike prej vitesh, kemi punuar përkrah njëri-tjetrit dhe po bashkëpunojmë në Ballkan dhe Afganistan, tha Sekretari i Shtetit.

Bisedimet u përqëndruan edhe në luftën kundër terrorizmit dhe konfliktin izraelito-palestinez.

Ne diskutuam edhe mbi perspektivat e paqes në Lindjen e Mesme si dhe angazhimin e presidentit Bush për të vazhduar bashkëpunimin me kryeministrin e ri palestinez dhe kryeministrin izraelit për të gjetur mënyrën për zbatimin e planit të paqes për të bërë realitet vizionin që paraqiti presidenti në fjalimin e tij më 24 qershor të vitit të kaluar.

Sekretari Pauëll është zyrtari më i lartë amerikan që viziton Gjermaninë që kur Berlini shkaktoi acarimin e marrëdhënieve me Washingtonin duke iu kundërvënë luftës në Irak.

XS
SM
MD
LG