Lidhje

Konkurrentët për memorialin aty ku ishin Kullat Binjake, vijnë nga gjithë bota - 2003-05-17


Konkursi për projektin e një memoriali për viktimat e sulmeve terroriste të vitit 1993 dhe 2001 në vendin ku ngriheshin dy kullat e Qendrës Botërore të Tregëtisë është cilësuar si më i madhi i këtij lloji. Por agjencia e ngarkuar me ndërtimin e memorialit ka nisur një fushatë tepër ambicioze, e cila synon të tërheqë edhe më shumë konkurrues, veçanërisht nga bota.

Që nga hapja më 28 prill e konkursit për projektin, kanë arritur rreth 5 mijë punime nga më shumë se 70 vende. Por Kevin Rampe i Komisionit për Zhvillimin në Manhatanin e Poshtëm thotë se konkursi ka nevojë për më shumë punime.

“Nuk kemi caktuar ndonjë numër magjik. Edhe me 5 mijë projekte, ky konkurs shënon pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë për një memorial, por kjo është një ngjarje me rëndësi ndërkombëtare e historike, kështu që ne duam të sigurohemi se kemi arritur tek maksimumi i mundshëm i njerëzve të interesuar”, thotë zoti Rampe.

Pjesëmarrësit janë nga të gjitha kontinentet, me përjashtim të Anktartidës. Por nga të 4 mijë e 951 pjesëmarrësit në konkurs deri tani, 4 mijë e 154 janë nga Shtetet e Bashkuara. Zoti Rampe thotë se konkursi duhet të ketë veçanërisht një pjesëmarrje më të madhe ndërkombëtare.

“Njerëz nga 91 vende humbën jetën më 11 shtator, kështu që nuk ishte vetëm një ngjarje e Shteteve të Bashkuara dhe memoriali duhet ta pasqyrojë një fakt të tillë.”

Çdo njeri 18-vjeç e sipër mund të regjistrohet deri më datën 29 maj nëpërmjet numrit të faksit 1-800-718-2003 apo përmes internetit në adresën www.wtcsitememorial.org, kurse projektet mund të paraqiten në periudhën ndërmjet 9 dhe 30 qershorit.

Një juri prej 13 anëtarësh, ku bën pjesë edhe projektuesja e Memorialit për Luftën e Vietnamit, Maya Lin, dhe e veja e njërit prej viktimave në Qendrën Botërore të Tregëtisë, pritet të zgjedhë fituesin e konkursit në muajin tetor. Memoriali do të jetë, si të thuash, zemra e vendit të restauruar ku ngriheshin dy kullat binjake.//kk//

XS
SM
MD
LG