Lidhje

Dy shpërthime godasin Jerusalemin - 2003-05-17


Të paktën 7 izraelitë u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën sot nga një shpërthim vetëvrasës në Jeruzalem. As një orë më vonë, një sulm tjetër vetëvrasës ndodhi pranë vendit të shpërthimit të parë.

Sulmi i parë kishte në shënjestër një autobus pranë lagjes French Hill në Jeruzalemin verior në fillim të orëve të mëngjesit me qarkullim të dendur. Policia e bllokoi zonën, ndërkohë që ambulancat dërgonin me shpejtësi të plagosurit në spitalet pranë. Pak më vonë, autori i një sulmi tjetër vetëvrasës hodhi veten në erë pranë një udhëkryqi, jo larg vendit të sulmit të parë. Policia izraelite tha se autori i sulmit humbi jetën, por shpërthimi nuk shkaktoi viktima të tjera.

Pas shpërthimeve, Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, e anulloi nisjen e tij të planifikuar për në Washington për t’u takuar me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Sharon kishte në plan të nisej sot për në Shtetet e Bashkuara, vetëm disa orë pas takimit të tij të nivelit të lartë me Kryeministrin e ri palestinez, Mahmud Abaz. Para shpërthimeve më të fundit vetëvrasëse, të dy udhëheqësit njoftuan se do të zhvillonin një raund të dytë bisedimesh. Edhe takimi i tyre i parë u mjegullua nga aktet e dhunës.

Pak para se fillonin bisedimet në Jeruzalem, ekstremistët palestinezë sulmuan 2 koloni hebraike në Bregun Perëndimor. Në incidentin e parë, një sulm vetëvrasës palestinez shkaktoi vdekjen e një çifti izraelit në enklavën hebraike të qytetit të ndarë Hebroni. Më vonë, dy palestinezë të armatosur depërtuan në koloninë hebraike Sha’arei Tikva. Ata u qëlluan për vdekje në një përpjekje të gjatë me trupat izraelite.

Një zyrtar në zyrën e zotit Sharon thotë se sulmet e fundit kanë treguar se udhëheqja palestineze duhet të tregojë që është serioze në luftën kundër dhunës dhe terrorizmit.

//ze//

XS
SM
MD
LG