Lidhje

Presidenti Alfred Moisiu: Investimi për shkollën dhe për fëmijët - investim për të sotmen dhe të ardhmen e vendit - 2003-05-17


Duke marrë pjesë në përurimin e disa objekteve social-edukative në zonën turistike të Velipojës, në rrethin e Shkodrës, Presidenti Alfred Moisiu vlerësoi të shtunën ndihmën që shumë vende të huaja po i japin Shqipërisë në rrugën e saj të reformave dhe integrimit euroatlantik. Presidenti Moisiu vlerësoi ndihmën e shoqatave bamirëse nga Gjermania, Austria dhe Zvicra, të cilat prej 10 vitesh vazhdojnë të kontribuojnë për ndërtimin e një vargu objektesh social-edukative në ndihmë të banorëve të zonës së Velipojës.

Trazicioni i dhjetë viteve të fundit, tha Presidenti Moisiu, ka patur një kosto të lartë për një pjesë të madhe të popullsisë, kryesisht për nivelin e jetesës dhe për mundësitë e kufizuara të shtetit për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të qytetarëve. ”Ndaj, vazhdoi zoti Moisiu, investimet e shtetit së bashku me ato të donatorëve të huaj për ndërtimin e shkollave, kopshteve dhe institucioneve të tjera të edukimit, i shërbejnë të ardhmes:

”Rëndësi ka sidomos fakti se përfituesit kryesor do të jenë fëmijët dhe nxënësit e zonës. Investimi për shkollën dhe për fëmijët është investim për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Brezat që vijnë mund të na falin gabimet dhe mangësitë në kryerjen e reformave në ndonjë sektor të industrisë apo në ndërtimin e shtetit, por ata nuk do të na falin asnjëherë mungesën e investimeve dhe të kujdesit të afërt në arsimimin e rinisë”.

Presidenti Moisiu tha gjatë takimit të zhvilluar në Velipojë se shteti shqiptar duhet t’i kushtojë më shumë vemendje shkollimit të të rinjve, duke u krijuar atyre të gjitha kushtet e nevojshme.

”Ne shohim se çdo vit, me mijëra të rinj nuk kanë mundësi të vazhdojnë shkollën e mesme apo të lartë për shkak të vështirësive ekonomike apo kufizimeve administrative. Është koha që kjo dukuri negative të marrë fund. Parlamenti, qeveria, autoritetet lokale, komuniteti dhe tërë shoqëria shqiptare duhet të jenë të bashkuar në rritjen e përpjekjeve për t’i dhënë asaj zgjidhje optimale".

Po të shtunën, Presidenti Moisiu dekoroi arkitektin zvicerian Joan Shuster për ndihmën që ka dhënë në projektimin dhe ndërtimin e mjaft objekteve social–edukative në zonën e Velipojës.

Në takimet e tij në Velipojë, Presidenti Moisiu shoqërohej nga zëvendës-kryeministri Ilir Meta. //az//

XS
SM
MD
LG