Lidhje

Kushtetuta e Gjeorgjisë garanton lirinë fetare, por anëtarët e besimeve të pakicave vuajnë nga përndjekjet - 2003-05-18


Kushtetuta e Gjeorgjisë garanton lirinë fetare, por në praktikë anëtarët e besimeve të pakicave vuajnë nga përndjekjet.

Pasues të priftit ortodoks të çkishëruar, Basili Mkalavishvili, kanë ndërmarrë shumë sulme kundër anëtarëve të disa grupeve të pakicave fetare, në mënyrë të veçantë kundër anëtarëve të grupit, Dëshmitarët e Jehovës. Sulmi i fundit ndodhi në një sallë gjyqi, në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, më 29 prill, gjatë gjyqit të zotit Mkalavishvili. Ai akuzohet se ka përdorur forcën për të shpërndarë takimet e grupit Dëshmitarët e Jehovës.

Megjithë sigurimet nga ana e qeverisë se do të garantohej siguria e njerëzve, policia gjeorgjiane qendronte si spektatore ndërkohë që Mkalavishvili dhe rreth 30 pasues të tij, u hodhën në sulm. Ata sulmuan fizikisht avokatin e grupit Dëshmitarët e Jehovës, personat që po dëshmonin në favor të këtij grupi, si edhe vëzhguesit nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Sigurimin në Evropë dhe grupi Human Rights Watch.

Shumë të tjerë, të pranishëm në gjykatë, u kërcënuan. Ndërmjet tyre ishte edhe reporteri i një stacioni televiziv lokal. Një diplomat amerikan dhe një vendas që punonte në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tbilisi, u detyruan të largohen nga salla e gjyqit, për të mos pësuar gjë. Ata më vonë i ngacmoi policia gjeorgjiane e vendosur jashtë sallës së gjyqit.

Kur erdhi kryetari i gjyqit, ai u bashkua me avokatët e mbrojtjes të Mkalavishvilit, duke u bërë pyetje armiqësore dhe që nuk kishin lidhje me çështjen, paditësve të grupit Dëshmitarët e Jehovës, duke përfshirë edhe pyetje lidhur me jetën e tyre seksuale. Më pak se një javë pasi gjyqi ishte ndërprerë, Mkalavishvili dhe përjrahësit e tij e penguan grupin Dëshmitarët e Jehovës, që të mbante një kongres kombëtar të anëtarëve të tij gjeorgjianë, në qytetin Ortasheni.

Gjyqi i Mkalavishvilit, ashtu siç po zhvillohet tani, është një farsë e drejtësisë. Personat pjesëmarrës në të, përfshirë kryetarin e gjyqit dhe policinë, duhet t’u kalojnë organeve të hetuesisë dhe të marrin dënimin e merituar. Presidenti i Gjeorgjisë, Eduard Shevarnadze, ka dënuar me të drejtë intolerancën dhe dhunën kundër anëtarëve të pakicave fetare. Por fjalët nuk mjaftojnë. Në Gjeorgji qeveria duhet të veprojë për të mbrojtur liritë fetare për të gjitha besimet.

//ze//

XS
SM
MD
LG