Lidhje

Vazhdojnë ndalimet e të dyshuarve në Marok lidhur me shpërthimet vetëvrasëse të së premtes - 2003-05-18


Autoritetet marokene vazhdojnë të ndalojnë të dyshuar në lidhje me shpërthimet vetëvrasëse të së premtes, për të cilat ata mendojnë se mund të kenë lidhje me rrjetin terrorist al-Qaida. 41 persona humbën jetën si pasojë e shpërthimeve.

Të paktën 30 të dyshuar janë ndaluar dhe Ministria e Brendshme e Marokut thotë se policia po përparon përsa i përket identifikimit të 14 autorëve të sulmit, të cilët realizuan 5 shpërthime, gati në të njëjtën kohë, në qytetin brengdetar të Kasablankës, qendra kryesore tregëtare e vendit. Shpërthimet dëmtuan një hotel luksoz, një qendër të komunitetit hebre, konsullatën belge dhe një klub social spanjoll.

Shumica e viktimave ishin marokenë. Të paktën 7 evropianë, prej të cilëve dy spanjollë, dy italianë dhe tre francezë, figuronin ndërmjet të vrarëve. Mes të vrarëve janë edhe 13 nga autorët e shpërthimeve. Policia po merr në pyetje njërin prej atorëve, që u shpëtoi shpërthimeve.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Marokut tha se hetuesit po përqendrohen të zbulojnë nëse sulmuesit bëjnë pjesë në grupin e njohur terrorist, Salafia Jihadia, i cili dyshohet se ka lidhje me rrjetin terrorist al-Qaida.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë, por Ministri i Brendshëm, Mustafa Sahel, i ka lidhur shpërthimet me terrorizmin ndërkombëtar.

Presidenti Bush i ofroi Marokut ndihmën e Shteteve të Bashkuara për gjetjen e terroristëve, që fshihen pas sulmeve. Presidenti tha se shpërthimet vetëvrasëse në Marok dhe sulme të ngjashme në fillim të javës në Arabinë Saudite e bëjnë më se të qartë se lufta kundër terrorizmit nuk ka marrë fund. //az//

XS
SM
MD
LG