Lidhje

Dështojnë bisedimet për paqe me separatistët në Indonezi - 2003-05-19


Njoftimet nga kryeqyteti provincial, Banda Aceh, thonë se ushtria indoneziane goditi me raketa pozicionet e rebelëve, duke sinjalizuar kështu fillimin e operacioneve ushtarake.

Presidentja e Indonezisë, Megawati Sukarnoputri, miratoi operacionet ushtarake pasi bisedimet e fundit për paqe ndërmjet qeverisë indoneziane dhe Lëvizjes së Lirë Aceh, përfunduan pa sukses dje në Tokio të Japonisë. Zonja Megawati shpalli gjendjen e luftës në provincë, duke thënë se rebelët kishin hedhur poshtë ofertën e Xhakartës për autonomi të veçantë, si shkëmbim për çarmatimin e tyre.

Ligji i gjendjes së luftës, që hyri në fuqi mbrëmë në mesnatë, sipas orës lokale, do të zgjasë 6 muaj dhe mund të shtyhet edhe më. Ligji i gjendjes së luftës u jep forcave të sigurimit më shumë kompetenca për të shpallur ndalim-qarkullimin, për të bërë kontrolle dhe për të mos i lejuar njerëzit që të hyjnë e të dalin lirisht nga provinca.

Po ashtu policia indoneziane arrestoi pesë nga përfaqësuesit e rebelëve, të cilët ishin liruar të shtunën para se të fillonin bisedimet e paqes. Një udhëheqës i lartë i rebelëve tha sot në orët e para të mëngjesit se trupat e tij ishin të gatshme të luftonin me Indonezinë. Më se 10 mijë veta, kryesisht civilë, janë vrarë gjatë disa dekadave që në provincë vazhdon konflikti.//ic//

XS
SM
MD
LG