Lidhje

ShBA mbyllin ambasadën dhe 2 konsullata në Arabinë Saudite për të paktën 5 ditë - 2003-05-20


Shtetet e Bashkuara po mbyllin ambasadën e tyre dhe 2 konsullata në Arabinë Saudite për të paktën 5 ditë për shkak të shqetësimeve se sulme të tjera terroriste mund të kryhen kundër interesave amerikane në atë vend. Departamenti amerikan i shtetit thotë se ky vendim nuk pasqyron pakënaqësinë me përpjekjet saudite të sigurimit pas sulmeve vetëvrasëse të javës së kaluar në Rijad, ku humbën jetën 34 veta, mes tyre edhe 8 amerikanë.

Zëdhënësi i departamentit të shtetit Richard Boucher tha se vendimi për të mbyllur ambasadën në Rijad dhe konsullatat amerikane në Jeda dhe në Dharan është një hap i matur pas asaj që ai e quajti informacion i besueshëm se sulme të tjera terroriste po planifikohen kundër objekteve në Arabinë Saudite.

Shtetet e Bashkuara po evakuojnë pjesëtarët e familjeve të diplomatëve dhe po lënë vetëm një personel të kufizuar në Arabinë Saudite megjithëse zëdhënësi Boucher tha se ky hap nuk pasqyron kritikë ndaj masave të sigurimit të mara nga Arabia Saudite që prej 12 majit kundër 3 komplekseve ku strehohen amerikanë dhe të huaj të tjerë.

“Bashkëpunimi vazhdon. Ne kemi pasur bashkëpunim e plotë të sauditëve, veçanërisht në hetimet që prej shpërthimeve fatkeqe. Mendoj se ka ekzistuar vendosmëria e të dyja palëve për të bërë të pamundurën. Por fakti është se është vështirë që mbrojtja të jetë e përsosur.”

Zëdhënësi Boucher tha se ndërkohë që hetimet nuk kanë përfunduar, sulmet e javës së kaluar mbajnë vulën e organizatës terroriste Al-Kaida.

//ze//

XS
SM
MD
LG