Lidhje

Trupat izraelite tërhiqen nga qyteti palestinez Bei Hanun - 2003-05-20


Trupat izraelite u tërhoqën nga qyteti Beit Hanun i Rripit të Gazës, ku hynë javën e kaluar në përpjekje për të ndalur sulmet palestineze me raketa kundër Izraelit.

Banorë të qytetit thanë se para se të tërhiqeshin, forcat izraelite shkatërruan shtëpi dhe rrugë, shkulën pemë dhe këputën linja telefonike. Trupat u tërhoqën në periferi të qytetit, i cili shtrihet në një zonë kufitare, të cilën Izraeli thotë se do ta kalojë nën kontrollin e Autoritetit Palestinez nëse të dyja palët bien dakord për zbatimin e planit të ri të paqes.

Takimi i ditës së shtunë midis kryeministrit izraelit, Ariel Sharon, dhe homologut të tij palestinez, Mahmud Abas, përfundoi pa ndonjë marrëvershje për zbatimin e planit të paqes. Të dielen, Izraeli i mbylli kufijt me Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në përgjigje të shpërthimeve të fundit vetëvrasëse që shkaktuan vdekjen e të paktën 12 izraelitëve dhe plagosjen e më shumë se 30 të tjerëve.

Kryeministri Sharon e shtyu udhëtimin që kishte në plan të bënte në Uashington për bisedime me Presidentin Bush mbi planin e paqes. Dy grupe ekstremiste palestineze, Hamasi dhe Xhihadi Islamik, kanë marrë përgjegjësinë për shpërthimet vetëvrasëse që filluan të shtunën.

Zoti Abas i ka dënuar shpërthimet e fundit vetëvrasëse, duke thënë se veprime të tilla nuk u shërbejnë interesave kombëtare palestineze. Ai i bëri thirrje edhe Izraelit të pranojë planin e ri të paqes në mënyrë që ti jepet fund ciklit të dhunës. Të hënën, Presidenti Bush thotë se është i bindur që procesi izraelito palestinez i paqes mund të ecë përpara, pavarësisht nga shpërthimet vetëvrasëse palestineze të ditëve të fundit.//xh//

XS
SM
MD
LG