Lidhje

KOSOVË-Kryeministri Rexhepi: “Ka mundësi që institucionet e Kosovës të marrin pjesë në takimin e BE-së në Selanik” - 2003-05-21


Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha sot se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës mund të marrin pjesë në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në Selanik të Greqisë. Duke folur para gazetarëve, një ditë para se të udhëtojë për në Athinë, ku do të marrë pjesë në takimin e Forumit Ekonomik Botëror për Evropën Juglindore, zoti Rexhepi tha se pjesmarrja në takimin e Selanikut do të kishte një rëndësi të posaçme për Kosovën.

“Tash për tash ne kemi paralajmërime se ekziston një vullnet i mirë edhe i zotit Steiner, i BE-së dhe qeverisë greke e cila është udhëheqëse e radhës, që të prezantohen edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Do të ishte gjë e mirë që ne të marrim pjesë në këtë takim, ku do të diskutohet për pjesën e Ballkanit Perëndimor ku ndodhet edhe Kosova, që ajo të mos mbetet e izoluar”, theksoi zoti Rexhepi.

Kryeministri Rexhepi tha se nuk dëshiron të paragjykojë rreth paralajmërimeve se në kete takim, do të mund të zhvilloheshin bisedime të veçanta me përfaqësuesit e Beogradit. Ai tha se në këto raste, takimet me delegacione të vendeve të ndryshme janë të pashmangshme, mirëpo, për bisedime të tilla duhet këshilluar edhe me institucionet tjera të Kosovës. Megjithatë, bisedimet me vendet fqinje janë të domosdoshme nënvizoi kryeministri Rexhepi.

“Kjo është një kerkesë e mëparshme e BE-së, Këshillit të Sigurimit dhe në përgjithësi e faktorit ndërkombëtar. Kjo do të jetë domosdoshmëri, që të kemi kontakte me të gjithë fqinjët tanë. Të kemi një bashkëpunim të ngushtë me ta. Por koha se kur do të ndodhë kjo, është cështje që do të diksutohet në faza të mëvonshme”, nënvizoi kryeministri Rexhepi.

Sidoqoftë, takimet e shefit të UNMIK-ut Mihail Shtajner në Bruksel, kanë dhënë shenja të qarta për zbutjen e qëndrimit të tij dhe të mekanizmave ndërkombëtarë, pas ndëshkimit të javës së kaluar të institucioneve të Kosovës, për shkak të miratimit të një Rezolute për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës nga ana e Parlamentit të Kosovës. Pjesëmarrja e institucioneve në takimin e Selanikut, të paktën do të shënonte një fazë të re të zhvillimit të marrëdhënieve të tyre me administratën e Kombeve të Bashkuara, marrëdhënie këto, të cilat ishin dëmtuar nga zhvillimet e ditëve të fundit.//ss//

XS
SM
MD
LG