Lidhje

Presidenti Bush: terroristët njollosin mësimet e Islamit - 2003-05-21


Gjatë një vizite tre-ditëshe në Liban, presidentin iranian Mohamad Khatamin e pritën zyrtarët më të lartë të qeverisë libaneze, si dhe përfaqësues të organziatës Hezbollah. Presidenti Khatami dënoi fanatizmin islamik dhe sulmet vetëvrasëse në Riad, gjatë vizitës së tij në Liban, por zotimi i tij për të vazhduar përkrahjen për organizatën Hezbollah nënvizon edhe një herë mbështetjen e Iranit për terrorizmin ndërkombëtar.

Organizata Hezbollah, me bazë në Liban, është një nga organizatat më të rrezikshme terroriste të botës. Midis krimeve të kryera prej saj ndaj civilëve, Hezbollahu dyshohet për sulmet terroriste të vitit 1994 ndaj Qendrës Kulturore hebraike në qendër të Buenos Airesit, në Argjentinë, ku humbën jetën rreth 100 njerëz.

Frymëzuesi ideologjik i Organizatës Hezbollah është Ajatollah Ruhollah Khomenei, drejtuesi i parë i teokracisë shtypëse të Iranit. Kjo organizatë mbështetet me mjete financiare, me armë dhe ndihma të tjera nga Irani. Atë gjithashtu e mbështet Siria. Një nga synimet e kësaj organizate është shkatërrimi i Izraelit. Parrullat e saj, midis të cilave ajo “Vdekje Izarelit”, dëgjoheshin gjithandej përmes altoparlantëve në aeroportin e Bejrutit, kur atje mbërriti presidenti Khatami.

Më 13 maj, presidenti iranian u paraqit në publik me udhëheqësin e grupit Hezbollah, Hassan Nasrallah, në një miting të madh të shiitëve myslimanë. Nxitja e vazhdueshme e terrorizmit nga ana e Nasrallahut, u bë e qartë në një fjalim që ai mbajti disa muaj më parë në Liban, ku i nxiti palestinezët sipas fjalëve të tij, “të kryejnë sulme vetëvrasëse në të gjithë botën”. E megjithatë gjatë mitingut, presidenti Khatami e vlerësoi lart organizatën Hezbollah.

Shtetet e Bashkuara janë vënë në krye të fushatës globale kundër terrorizmit dhe përkrahësve të tij. Siç u shpreh presidenti Bush, “Ata që janë aleatë me terroristët, janë po aq fajtorë për vrasje dhe duhet të japin llogari para drejtësisë”. Kjo po bëhet përherë e më e qartë për popujt e botës muslimane, tha presidenti Bush.

”Kur terroristët dhe tiranët kundërshtojnë dhe kryejnë sulme ndaj lirisë, kjo do të thotë se ata kundërshtojnë dhe kryejnë sulme ndaj shpresave të myslimanëve në të gjithë botën. Kur terroristët shkojnë me misione vetëvrasëse dhe vrasëse, ata në fakt njollosin mësimet e larta të vetë Islamit”,- tha presidenti.

Terroristët dhe përkrahësit e tyre do të ndalen.//lk//

XS
SM
MD
LG