Lidhje

Debat në Kongresin amerikan për statusin e Kosovës - 2003-05-22


Statusi përfundimtar i Kosovës ka mbetur i pazgjidhur që nga viti 1999, kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën për t’i dhënë fund ndërhyrjes së NATO-s në ish Jugosllavi dhe administrimit të saj nga OKB-ja. Rreth 4 vjet më vonë pas përfundimit të gjakderdhjes mes sërbëve dhe shqiptarëve, 25 mijë trupa të udhëhequra nga NATO-ja, duke përfshirë edhe 2 mijë amerikanë ruajnë rendin dhe qetësinë në Kosovë.

Në fjalën e saj dje para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, ndihmës-nënsekretarja e Shtetit për Evropën Jug-Qendrore, Janet Bogue, tha se Kosova ka bërë përparime të ndjeshme drejt një shoqërie demokratike shumë-etnike. Megjithatë, shtoi ajo, nuk është bërë mjaft përparim për plotësimine disa kushteve të rëndësishme, siç janë funksionimi i institucioneve demokratike, shteti ligjor, liria e lëvizjes, kthimi i refugjatëve dhe integrimi social, qendrueshmëria ekonomike dhe krijimi i një force të qendrueshme mbrojtëse në Kosovë. Për këto arsye tha zonja Bogue, administrata e Presidentit Bush, është kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës apo ndarjes së saj.

“Ka nga ata njerëz në Kosovë që kërkojnë pavarësinë e saj të menjëherëshme. Ka nga ata njerëz në Sërbi, që kërkojnë ndarjen e saj të menjëherëshme, Ne jemi kundër këtyre dy qendrimeve. Ne besojnë se marrja sot e një vendimi për statusin përfundimtar të Kosovës do të vinte në rrezik stabilitetin e saj dhe vendet kufitare me të, që sapo kanë dalë nga një dekadë konfliktesh shkatërruese. Një vendim i menjëherëshëm për statusin përfundimtar do të nxiste ata që mbështesin zgjidhjen e çështjes me dhunë”.

Megjithatë, disa ligjvënës demokratë dhe republikanë nuk janë dakord me këtë qendrim. Ata thonë se Shtetet e Bashkura kanë vendosur standarde shumë të larta për Kosovën. Tom Lantosh, një nga demokratët më me ndikim në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për marrëdhëniet me jashtë tha:

“Tensionet e vazhdueshme në Ballkan nuk mund të zgjidhen në qoftë se ne vazhdojmë ta zvarritim çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Për të arritur një paqe të drejtë dhe të qendrueshme në Evropën Juglindore, një rajon i trazuar në se mund të ketë qënë me të vërtetë kështu, ne duhet t’i japim pavarësinë Kosovës dhe duhet ta bëjmë atë tani”.

Zoti Lantosh dhe kryetari republikan i Komisionit, Henry Hyde, kanë propozuar një rezolutë simbolike ku i bëhet thirrje adminisitratës së Presidentit Bush që të mbështesë pavarësinë e Kosovës.

Administrata amerikane e kundërshton rezolutën, sepse siç u shpreh zonja Bogue, ajo “mund të çojë në konfuzion rreth qendrimit të Shteteve të Bashkuara dhe në shpërqendrimin e vemendjes nga puna për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe pajtimin etnik”.

Edhe Daniel Serwer, i Institutit amerikan të Paqes, është kundër çdo vendimi të nxituar për negociata mbi statusin përfundimtr të Kosovës. Duhen bërë përgatitje paraprake tepër të kujdesëshme, thotë ai, që të çojnë në negociata për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës në vitin 2005.

“Deri në vitin 2005, Beogradi do të ketë një kushtetutë të re, një asamble të re dhe një president të ri. Për mendimin tim, atëhere do të jetë koha e përshtatëshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje ”.

Zoti Serwer tha se një rezolutë e Kongresit për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës, megjithëse simbolike, u dërgon një sinjal të paqartë autoriteteve në Beograd dhe në Prishtinë, që më në fund do të jenë ato që do të vendosin mbi statusin përfundimtar të Kosovës.//ic//

XS
SM
MD
LG