Lidhje

Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi heqjen e sanksioneve ndaj Irakut - 2003-05-22


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara vendosi të heqë sanksionet e vendosura pothuajse 13 vjet më parë ndaj Irakut.

Rezoluta e propozuar nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Spanja, u miratua sot me 14 vota në favor dhe asnjë kundër.

Përfaqësuesi i Sirisë nuk mori pjesë në votim. Mes vendeve që votuan për heqjen e sanksioneve ishin edhe Franca, Gjermania e Rusia, të gjitha kundërshtare të vendosura të luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak.

Rezoluta u jep Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë kompetenca të gjera për të drejtuar Irakun, derisa atje të vijë në pushtet një qeveri e njohur nga komuniteti ndërkombëtar, si dhe për të shitur naftën irakiane, për të financuar procesin e rindërtimit. Pritet që eksportimi i naftës irakiane të rifillojë shumë shpejt.

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Xhon Negroponte, tha se ka ardhur koha që populli irakian të përfitojë nga burimet e tij natyrore, pas më shumë se dhjetë vjet izolimi nga ekonomia botërore, për shkak të sanksioneve të vendosura kundër regjimit të Sadam Huseinit.

Kompromisi përfundimtar, që siguroi mbështetjen pothuajse të njëzëshme për rezolutën, ishte pranimi nga ana e Shteteve të Bashkuara, që Këshilli i Sigurimit të shqyrtojë brenda 12 muajsh ecurinë e zbatimit të rezolutës. Rezoluta parashikon gjithashtu, që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, të emërojë një përfaqësues të posaçëm për Irakun, i cili do të ndihmojë në krijimin e një autoriteti të përkohshëm irakian.

Sanksionet u vendosën kundër ish regjimit të Bagdadit, pas pushtimit irakian të Kuvajtit në vitin 1990.// lk //

XS
SM
MD
LG