Lidhje

Administratori Bremer shpërndan ushtrinë irakiane - 2003-05-23


Administratori civil amerikan në Irak, Paul Bremer, shpërndau forcat ushtarake të vendit dhe disa institucione të tjera që përbënin bazat e ish regjimit të Sadam Huseinit. Në një deklaratë të lëshuar sot në Bagdad nga kryeadministratori Bremer thuhet se synimi i këtij veprimi është t’i tregohet popullit irakian se qeveria e Sadam Huseinit është përmbysur dhe nuk do të kthehet kurrë më.

Mes institucioneve të shpërbëra janë edhe ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Informimit, krahas disa agjencive të sigurimit, përfshirë Gardën Republikane. Ky vendim prek qindra mijëra ushtarë dhe punonjës të sektorit shtetëror, të cilët aktualisht janë pa punë. Në fakt, forcat e armatosura irakiane u shpërbënë muajin e kaluar, kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara përmbysi regjimin e Sadam Huseinit. Zoti Bremer tha se ushtria e re irakiane do të krijohet në një të ardhme të afërt.

Ndërkohë, zyrtarë të Pentagonit thonë se ushtarë amerikanë ndalën një kamion pranë kufirit me Sirinë me një sasi të madhe kallëpësh që mendohet se mund të jenë prej ari. Komanda Qendrore amerikane tha se ushtarët gjetën dje rreth 2 mijë kallëpë 18 kilogramësh, ndërkohë që po bënin një kontroll rutinë në qytetin Al Kaim. Komanda Qendrore tha se kallëpët do të ekzaminohen për të identifikuar elementet e tyre përbërëse. Komanda shton se nëse kallëpët janë prej ari, ato mund të kenë një vlerë prej 500 milionë dollarësh.

//ze//

XS
SM
MD
LG