Lidhje

Nako: Qendrimi pro-amerikan i Shqipërisë nuk do të ndikojë në bisedimet e asocim stabilizimit me BE - 2003-05-23


Ministri shqiptar i integrimit, Sokol Nako i tha Zërit të Amerikës se proceset e integrimit në radhë të parë varen nga zhvillimet brenda vetë Shqipërisë dhe se arësyet e zgjatjes së këtij procesi duhen kërkuar ndoshta në të kaluarën e rajonit. Zoti Nako tha gjithashtu se qendrimi pro amerikan i Tiranës nuk do të ndikojë negativisht në bisedimet e asocim stabilizimit me Bashkimin Evropian.

Zeri i Amerikes: Zoti Nako, çfarë të rejash sjell dokumenti i Komisionit Evropian i paraqitur në Bruksel për intergrimin e vendeve të Ballkanit?

S. Nako: Komunikimi i ri i Komisionit Evropian për Këshillin dhe Parlamentin Evropian është i një rëndësie të veçantë për momentin në të cilin ai bëhet. Dimë që jemi në prag të samitit të Selanikut që është dezinjuar për t’i dhënë një formë dhe përmbajtje të re procesit të asocim-stabilizimit për vendet e Ballkanit Perëndimor por njëkohësisht vjen edhe pas një procesi të gjerë konsultimesh lidhur me pritshmërinë nga ana edhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor por edhe e vendeve anëtare të BE për përmbajtjen e këtij procesi. Ajo çka është më e rëndësishme është se këtu gjejmë një artikulim dhe të vendosur të vullnetit politik të BE dhe të vendeve anëtare për t’i parë vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare të ardhëshme të BE. Rruga për ta bërë këtë përshkohet nga një numër instrumentash që ky dokument përmban.

Zeri i Amerikes: Zoti Nako, përse gjatë viteve të fundit procesi i integrimit evropian të Shqipërisë ka ecur kaq ngadalë? A shpjegohet kjo me skepticizmin e evropianëve apo me hapat e ngadalta të Shqipërisë?

S. Nako: Unë do të gjykoja që proceset e integrimit në radhë të parë varen nga zhvillimet brenda vendit sepse në fund të fundit ne duhet të arrijmë disa standarde për të cilat kërkohet zhvillimi i reformave të gjera, të gjithanëshme dhe të sinqerta që synojnë transformimin e sistemit politik në drejtim të forcimit të demokracisë, institucioneve demokratike por edhe krijimin e një ambienti ekonomik mbi parimet e ekonomisë së tregut. Duke patur parasysh të kaluarën historike të vendeve të rajonit, sidomos të Shqipërisë, ky proces nuk ka qenë i lehtë dhe ndoshta këtu mund të kërkojmë një nga arësyet e zgjatjes së këtij procesi. Megjithatë, doja të theksoja që nga BE nuk ka munguar asnjëherë ndihma, madje nga shumë pikpamje të rëndësishme kanë qenë ata që kanë ndikuar shumë pozitivisht për përshpejtimin e proceseve integruese siç është rasti i samitit të Zagrebit ku u krijuan instrumentet e asocim-stabilizimit për t’i afruar vendet e Ballkanit perëndimor. Tani do të mbahet samiti i Selanikut ku mendohet që ky proces i filluar të përshpejtohet.

Zeri i Amerikes: Zoti Nako, Shqipëria ka mbajtur kohët e fundit një qendrim të theksuar pro amerikan. A mendoni se kjo mund të ndikojë negativisht në bisedimet e asocim stabilizimit? A mund të bëhet kjo shkak për xhelozinë e evropianëve?

S. Nako: Unë nuk mendoj se kjo do të ndodhë për shkak se ne nuk i kemi marrë vendimet tona politike duke i konsideruar ato si në kundërshtim me vullnetin politik evropian. Pra nuk ka qenë një zgjedhje ndërmjet Evropës dhe Amerikës. Ne kemi vlerësuar rëndësinë që kanë marrëdhëniet me SHBA edhe në dritën e zhvillimeve më të fundit në rajon dhe në botë. Pa dyshim ne mendojmë që e ardhmja euroatlantike e rajonit nuk mund të jetë e sigurt pa mbështetjen apo pa afrimin drejt BE. Pra do të theksoja edhe një herë që nuk ka një kundërvendosje ose kundërthënie në qendrimet tona.

XS
SM
MD
LG