Lidhje

Demokrati Robert Byrd, anëtari më i moshuar i senatit - 2003-05-24


Një nga kundërshtarët më të hapur në kongresin amerikan ndaj luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, është bërë një nga kritikët kryesorë të përpjekjeve amerikane për rindërtimin e Irakut. Bëhet fjalë për Senatorin Robert Byrd, demokrat nga shteti i Virxhinias Perëndimore, i cili, këtë vit u bë anëtari më i moshuar dhe që ka shërbyer më gjatë në Senat.

Zyrtarë të administratës së presidentit Bush, duke dashur të zbusin shqetësimet në kongres lidhur me atë që disa ligjvënës e shohin si përpjekje e ngathët e Shteteve të Bashkaura për rindërtimin e Irakut, thonë se jeta e irakianëve po përmirësohet ngadalë dhe se procesi i rindërtimit dhe demokratizimit do të marrë kohë. Por, Senatori Robert Byrd, mbetet skeptik.

”Demokracia dhe liria nuk mund të detyrohen nën kërcënimin e tytës së armëve. Të mendosh ndryshe është marrëzi. Duhet të ndalemi dhe të pyesim veten: si kemi mundur të jemi kaq naivë; si është e mundur të kemi shpresuar që të kllonojmë kaq lehtë farën e kulturës amerikane, vlerat dhe qeverinë në një vend të mbushur me rivalitete fetare, territoriale dhe fisnore, aq dyshues ndaj motiveve amerikane, pra, aq në kundërshtim me materializmin e nxituar, që nxit ekonomitë e stilit perëndimor?”

Senatori Byrd është ndër kritikët më të ashpër të politikës së administratës së Presidentit Bush, veçanërisht përsa i përket Irakut. Ai doli kundër luftës në një vend, për të cilin beson se nuk përbënte kërcënim për Shtetet e Bahskaura, pikëpamje për të cilën ai thotë se është shprehur nga shumë njerëz në mbarë globin.

Senatori Byrd është një mbrojtës i patundur i kushtetutës dhe shpesh nxjerr një kopje të dokumentit nga xhepi i këmishës për të argumentuar mendimet e tij.

Ai e njeh mirë rregulloren e Senatit, prandaj, shumë senatorë nuk dëshërojnë ta sfidojnë atë drejtpërndrejt. Ai është gjithashtu studiues i çështjeve të Senatit dhe ka shkruar një histori prej katër volumesh për këtë organ.

Janarin që shkoi, ligjëvënësi 85-vjeçar mbushi 50 vjet që shërben në Kongres.

Ai u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 1952, ku shërbeu për 6 vjet para se të zgjidhej në Senat, ku ka shërbyer qysh atëhere.

Gjatë viteve të tij në Senat, zoti Byrd ka mbajtur disa poste drejtuese, përfshirë ato të udhëheqësit të shumicës dhe të pakicës.

Mandati i tanishëm i tij skadon në vitin 2006 dhe ai thotë se po e lë të hapur mundësinë për të kandiduar për një mandat të 7-të në Senat, që ai e do aq shumë.//kk//

XS
SM
MD
LG