Lidhje

Rexhepi: Pjesëmarrja në takimin e Athinës, e një rëndësie të veçantë - 2003-05-24


Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi e ka cilësuar të një rëndësie të veçantë pjesëmarrjen e tij në tubimin e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar që të shtunën përfundoi punimet në Athinë të Greqisë. Zoti Rexhepi thotë se ka zhvilluar takime të shumta me udhëheqës të vendeve të rajonit dhe ata të Bashkimit Evropian dhe i ka njoftuar ata me zhvillimet në Kosovë, ndërsa pjesëmarrjen në tubimin e Athinës e vlerëson hap të parë drejt mënjanimit të pengesave që edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës të marrin pjesë në takimet e rëndësishme ndërkombëtare. Në një intervistën telefonike kryeministri Rexhepi shfaqi shpresën se udhëheqësit e Kosovës do të marrin pjesë në takimin e nivelit të lartë të Bashkim Evropian në Selanik.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër sot përfundoi takimi dy ditësh në Athinë i Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, ku për herë të parë në një tubim të këtij lloji morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Si e vlerësoni pjesëmarrjen në këtë takim dhe sa keni arritur që të prezentoni realitetin në Kosovë ?

Bajram Rexhepi: Së pari vetë pjesëmarrja jonë tregon një realitet të ri dhe është me një rëndësi të veçantë ku një kohë të gjatë Kosova ishte e izoluar, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve në konferenca të ndryshme ku bisedohet edhe në lidhje me Kosovën. Ne kishim atë mundësi që së bashku me zotin Endi Berpark të kemi edhe një sesion ndaraz për çështjen e Kosovës, të informojmë me të gjitha problemet dhe me arritjet dhe mendoi se ishte mjaft e mirë, dhe po ashtu kishim edhe një briefing ndaraz për çështjen e Kosovës ku ishte një numër relativisht i madh i gazetarëve. Me zotin Besim Beçaj kemi marrë pjesë në shumicën e sesioneve plenare ose grupe punuese që është punuar ndarzi për lëmi të caktuara dhe është një përshtypje e përgjithëshme se është një lëvizje pozitive për Kosovën, për realitetin në përgjithësi të Ballkanit Perëndimor që kjo situatë nuk mund të qëndrojë më tutje në një gjendje të status quo, por duhet të gjendet një udhërrëfyes dhe një perspektivë më e qartë edhe për Kosovën që të kyçet në procesin e Asociim-stabilizimit drejt Bashkimit Evropian, pra të mos mbetet si një vrimë e zezë në rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi, në Athinë ishin të pranishëm edhe përfaqësues dhe udhëheqës të lartë të më shumë se 30 vendeve. Keni patur bisedime me ndonjërin nga ata dhe çfarë është diskutuar, e në veçanti mbretëron interesimi nëse keni takuar ndonjërin nga udhëheqësit e lartë serbë?

Bajram Rexhepi: Jo, udhëheqës të lartë serbë nuk kam takuar asnjërin, ata kanë qenë të pranishëm, mirëpo nuk kemi pasur kurrfarë kontakti. Mirëpo kam pasur kontakte të shkurta me kryeministrin Nano, presidentin e Kroacisë Stjepan Mesiq i cili shprehu gadishmërinë e tij që në një të ardhme të afërt ta vizitojë Kosovën. Po ashtu me zotin George Soros, Zotin Nacios nga USAID-i shumë shkurt, më shumë takim njoftimi, me përfaqësuesin e posaçëm të zotit Romano Prodi, zotin Sanino, me zotin Erhard Busek dhe shumë të tjerë që ishin të pranishëm. Pra qoftë gjatë seancave apo pushimeve kishim takime formale e jo formale.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, cilat janë gjasat që edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës të marrin pjesë në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian që pritet të mbahet muajin e ardhshëm në Selanik ?

Bajram Rexhepi: Po ekziston një klimë e volitshme dhe një gadishmëri që të ftohemi. Tash për tash nuk kemi kurrfarë kushtëzimi lidhur me këtë. Por megjithatë se a do të ftohemi për pjesëmarrje varet nga konsensusi që arrihet në Bashkimin Evropian, mirëpo edhe nga sjelljet tona në Kosovë që duhet të jemi të koncentruar për realizimin e synimeve të drejta për Kosovën. Prandaj varet nga të dyja anët edhe nga kosovarët edhe nga Bashkimi Evropian. Mirëpo e përsëris edhe njëherë që ekziston një gadishmëri dhe klimë e volitshme në atë drejtim.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje të fundit zoti Rexhepi, nëse do të merrni pjesë në Selanik, thuhet se atje do të mund të shënohet fillimi i bisedimeve me Beogradin. Cili është komenti i juaj?

Bajram Rexhepi: Unë tash nuk kisha dashur të paragjykoj. Nëse bëhet një ofertë e tillë na duhet të konsultohemi, pra të arrijmë një pajtueshmëri se kur dhe si, dhe për çka mund të bisedohet. Mirëpo për një gjë të tillë duhet ta japë mendimin Parlamenti, pra ta kemi një pajtueshmëri në mënyrë që ajo të mos shkaktojë në mes nesh përçarje dhe për këto çështje nuk kisha dashur të paragjykoj me që ende nuk është bërë ftesa zyrtare. Nuk e di, nëse e marrim atë ftesë, sigurisht që do të bisedojmë parprakisht se çka më tutje.//kk//

XS
SM
MD
LG