Lidhje

Presidentët e rajonit do të takohen më 2 qershor në Ohër - 2003-05-24


Presidentët e Maqedonisë, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë e Malit të Zi, do të takohen më 2 qershor në Ohër të Maqedonisë, në një përpjekje tjetër për të mbështetur dialogun për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, bëri të ditur të shtunën në Shkup, media zyrtare, e cila tha se për këtë takim, është rënë dakord në takimet e presidentit maqedonas me homologët e tij nga rajoni, në takimin e Evropës qendrore që u zhvillua në Salsburg.

Presidenti maqedonas Boris Trajkoski është takuar edhe me presidentin italian Carlo Azeglio Ciampi, vendi i të cilit merr presidencën e Bashkimit Evropian duke filluar që nga 1 korriku. Zoti Trajkovski ka kërkuar që vendeve të rajonit t’u dërgohet sinjal i qartë për përpjekjet e tyre për integrim në Bashkimin Evropian.

Presidenti maqedonas ka kërkuar që të ofrohet një perspektivë e qartë për qytetarët e vendeve që bëjnë pjesë në procesin e stabilizim- asociimit dhe të forcohen mekanizmat për këtë proces.

Të njëjtat mesazhe ka dhënë edhe kryeministri maqedonas, Branko Cërvenkovski, në takimin e tij në Romë me kryeministrin italian Silvio Berluskoni, ku sipas burimeve në Shkup, ka marrë premtime për mbështetjen e Italisë për këtë vend, gjatë presidencës italiane të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë të shtunën në Ohër filloi kongresi dyditor i partisë më të madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, e cila duhet të zgjedhë udhëheqësin e saj të ri, pasi kryetari i deritashëm, Lupco Georgievski, ka bërë të qartë publikisht se nuk do të kandidojë më për këtë post.

Dy kandidatët kryesorë për kryetar të kësaj partie, janë Marjan Gjorcev, nënkryetar i partisë dhe Nikolla Gruevski, ish-ministër i financave. Të dy kandidatët për kryetar të VMRO-DPMNE-së, kanë thënë se mbështesin marrëveshjen e Ohrit dhe zbatimin e saj të plotë, ndryshe nga kryetari i deritashëm Lupco Georgievski, i cili e hodhi poshtë atë dhe kërkoi ndarjen e vendit në baza etnike.//kk//

XS
SM
MD
LG