Lidhje

Irak: një ushtar amerikan vritet dhe një tjetër plagoset në një pritë - 2003-05-26


Një ushtar amerikan u vra dhe një tjetër u plagos në një pritë, rreth 200 kilometra në veriperëndim të Bagdadit.

Komanda Qendrore Amerikane tha se një autokolonë amerikane prej tetë automjetesh u sulmua sot në mëngjes në afërsi të qytetit Hadithah. Në një deklaratë të komandës thuhet se autokolona, e cila ishte me një mision furnizimi me karburant nga një bazë e afërt ajore, u godit nga granada të lëshuara me raketë dhe zjarri i armëve automatike.

Në Bagdad, kryeadministratori civil amerikan për Irakun, Pol Bremer, tha se forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të madh në përpjekjet për stabilizimin e vendit, por shtoi se mbetet shumë për t’u bërë.

Zoti Bremer bëri të ditur krijimin e një organi irakian që do të ndihmojë në procesin e eleminimit të të gjitha mbeturinave të Partisë Baath të përmbysur nga pushteti. Ai tha gjithashtu se është themeluar një sistem kredie nga banka qendrore e Irakut dhe një numër bankash private që do të fillojë veprimtarinë brenda disa javësh për të rigjallëruar tregtinë.

Këshilltari i lartë amerikan pranë Ministrisë së Brendshme të Irakut, Bernard Kerik, tha se do të duhet kohë para se rendi të rivendoset në Bagdad. Ish komisioneri i policisë së qytetit të Nju Jorkut tha se rruga për kthimin e besimit tek policia irakiane është përmes stërvitjes dhe pushimit nga detyra të policëve fajtorë për krime.

Rreth 100 ish ushtarë irakianë protestuan në Bagdad kundër vendimit amerikan për të shpëndarë forcat e armatosura irakiane, veprim që i ka lënë ata pa punë.

XS
SM
MD
LG